
Zëvendës kryeministrja Belinda Balluku u paraqit sot në Gjykatën e Posaçme rreth orës 09:00 për konfirmimin e masave të sigurisë “ndalim i daljes jashtë vendit” dhe “pezullim nga detyra”.
Pas 40 minutash nga nisja, seanca u ndërpre për të vijuar 2 orë më vonë pasi avokatët e drejtorit të ARRSH Gentian Gjyli dhe drejtorit të KESH, Erald Elezi kërkuan të njiheshin me aktet hetimore.
Seanca më pas u zhvillua normalisht me pretendimet e organit të akuzës dhe ato të avokatëve mbrojtës. Në përfundim rreth orës 14:40 GJKKO njoftoi se kishte lënë në fuqi të njëjtat masa sigurie të caktuara fillimisht. Zv.kryeministrja nuk dha ndonjë deklaratë për mediat, teksa nënvizoi në seancë se ishte e hapur për hetimin lidhur me tenderin e Llogarasë dhe të lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës.
Mbrojtja e Belinda Ballukut informoi mediat se do t'i drejtohet Apelit të GJKKO me kërkesën për rrëzimin e vendimit të sotëm. Versus.al

