Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur fajtor deputetin demokrat Qani Xhafa, duke e dënuar fillimisht me 9 muaj burg.
Por për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe pranimit të akteve të dosjes, dënimi u reduktua në 6 muaj.
Në përfundim, gjyqtarja Irena Gjoka vendosi ta konvertojë dënimin në një gjobë prej 900 mijë lekësh të reja.
Prokurori i çështjes, Sotir Kllapi nga SPAK, kërkoi fillimisht dënimin me 6 muaj burg të pezulluar, duke propozuar vendosjen e deputetit në shërbim prove për një vit.
Nga ana tjetër, mbrojtja e Xhafës kërkoi një masë alternative, si dënim me gjobë apo punë në interes publik.
Xhafa u hetua në gjendje të lirë për akuzën e drejtimit të automjetit në mënyrë të parregullt.
Sipas hetimeve, në mars të vitit 2023, ai ka shkaktuar një aksident në Elbasan, duke drejtuar një automjet tip “Toyota” në gjendje të dehur dhe duke goditur një shtyllë ndriçimi. Për pasojë, pati vetëm dëme të lehta materiale.
Aksidenti ndodhi më 13 mars 2023. Xhafa, i cili në atë kohë sapo kishte zëvendësuar në Kuvend ish-deputetin Luçiano Boçi, u arrestua menjëherë pas ngjarjes, por u lirua një ditë më pas dhe vijoi të hetohej i lirë./Versus.al







