
Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” pa afat për Gjovalin Shkambin, pas deklaratave kërcënuese ndaj gjyqtarëve.
Shkambi kishte kërcënuar publikisht se do të vriten edhe gjyqtarë të tjerë në rast se nipi i tij, Elvis Shkambi, dënohet për vrasjen e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja.
Në këtë çështje është përfshirë edhe Gjon Shkambi, xhaxhai i Elvisit, i dyshuar si bashkëpunëtor në krim.
Prokuroria e Shkodrës e konsideroi deklaratën e Gjovalin Shkambit si kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj sistemit të drejtësisë dhe sigurisë publike, duke kërkuar masën më të rreptë të sigurisë. Gjykata pranoi kërkesën dhe vendosi që Shkambi të qëndrojë në burg.
Më herët vajzat e Gjovalin Shkambit bënë një reagim për median ku ndër të tjera thuhej se babai i tyre e kishte bërë deklaratën në gjendje të rënduar psikologjike.







