Gjykata e Korçës ka caktuar masën “detyrim paraqitje” për Alti Nallbatin, vëllain e deputetit të PD Bledion Nallbati i cili u arrestua dy ditë më parë për dhunën ndaj një shoferi kamioni.
Në pamjet e publikuara në media, shihet momenti kur makina me të cilën udhëtonin dy vëllezërit Nallbati, i pret rrugën kamionit dhe më pas deputeti dhe vëllai i tij u konfliktuan verbalisht dhe fizikisht me të.
Pas ngjarjes, policia nisi hetimet ndërsa arrestoi Alti Nallbatin. Deputeti Bledion Nallbati doli në një konferencë për mediat ku sqaroi se reagimi i tij i ashpër kishte ardhur si pasojë e rrezikimit të ndodhjes së një aksidenti automobilistik që mund të kishte rezultuar fatal.
Përplasja fizike nuk mbeti pa u komentuar as nga kryeministri Edi Rama i cili gjatë takimit në Korçë e cilësoi Nallbatin me epitetet "çyryk dhe gjysmak", ndërsa u kërkoi korçarëve që të mos e votonin për ta sjellë në Kuvend. Versus.al








