
Kandidatja e Partisë Demokratike, Elda Hoti, ka reaguar lidhur me arrestimin e bashkëshortit të saj, Ladi Ndoja, nga policia ditën e djeshme.
Ai u ndalua pasi bllokoi rrugën e një automjeti tjetër, duke pretenduar se po kryhej krim zgjedhor.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hoti theksoi se do të mbajnë përgjegjësi, siç e quajti ajo, çdo vegël politike që do të përpiqet të frikësojë qytetarët.
Ajo shtoi gjithashtu se ata që kanë shantazhuar votuesit janë ende të lirë dhe vazhdojnë të qëndrojnë nëpër qendrat e votimit.
Reagimi i plotë:
Asnjë polici politike, asnjë strukturë kriminale dhe asnjë zëdhënës i krimit të organizuar nuk do të mund ta ndalë vullnetin e qytetarëve për ndryshim. Ditët e frikësimit, fabrikimeve dhe shtypjes së zërit opozitar janë drejt fundit.
Ulsi Manja dhe çdo vegël politike që përdor Policinë e Shtetit për interesa të pushtetit do të mbajnë përgjegjësi për çdo veprim të paligjshëm, për çdo tentativë për të frikësuar qytetarët që duan një të ardhme më të mirë.
Këto manovra janë të dështuara sepse fuqia e popullit nuk ndalet nga asnjë makineri represive.
Ata që blenë vota dhe shantazhuan votuesit, janë të lirë dhe po rendin nga qendra në qendër votimi, Aleksander Dodaj, Renuar Kolaj dhe të gjithë kriminelët elektoral, i keni bërë llogaritë gabim.
Njëshat nuk ka regjim që i ndal!







