
Prokuroria e Tiranës ka vendosur sekuestrimin e disa pasurive në pronësi të Arnaldo Lleshit, i cili rezulton i dënuar në Angli për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Sipas autoriteteve, pasuritë nuk justifikohen ekonomikisht dhe dyshohet se janë përfituar përmes veprimtarisë së paligjshme.
Sipas të dhënave, edhe babai dhe vëllai i tij figurojnë si pronarë apo menaxhues të disa prej këtyre pasurive, të cilat gjithashtu janë përfshirë në masën e sekuestrimit. Autoritetet kanë nisur procedurat për hetimin e thelluar të burimit të fondeve.
Në njoftimin zyrtar të Prokurorisë thuhet se hetimet për këtë çështje nisën më 22 maj 2025, në kuadër të një procedure pasurore. Gjatë hetimeve u konstatuan një sërë pasurish të dyshimta në emër të Lleshit dhe personave të lidhur me të.
Pasuritë e sekuestruara përfshijnë:
1. Një truall prej 403.1 m² dhe një ndërtesë prej 275.2 m² (gjysma e pronës);
2. Dy automjete të markave Opel Corsa dhe Jeep Grand Cherokee;
3. Një aktivitet tregtar me emrin “Auto Lleshi” (NUIS L52116150G), me veprimtari në fushën e riparimit të automjeteve, tregtisë së pjesëve të përdorura dhe të reja, si dhe import-eksport të makinave.
Prokuroria sqaron se nga analiza e dokumentacionit rezulton se Lleshi nuk ka pasur të ardhura të ligjshme për të justifikuar këto pasuri dhe se ka indicie të forta që ato rrjedhin nga aktiviteti kriminal i zhvilluar në Britani.
Njoftimi i Prokurorisë:
I dënuar në Angli për ‘Prodhim, shitje të lëndëve narkotike’, Prokuroria e Tiranës sekuestron pasuritë e pajustifikuara në Shqipëri të shtetasit A.Ll.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë sekuestroi pasuritë e shtetasit A.Ll. i dënuar në Angli për veprën penale ‘Prodhim, shitje të lëndëve narkotike’ parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.
Në kuadër të hetimeve mbi procedimin pasuror nr.04, datë 22.05.2025, rezultoi se shtetasi A.Ll është dënuar në Angli për veprën penale ‘Prodhim, shitje të lëndëve narkotike’ parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal dhe pasuritë e tij nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike e dyshohet se lidhen e rrjedhin nga veprimtaria kriminale.
Shtetasi B.Ll. (babai i subjektit) ka në pronësi pasuri truall me sipërfaqe prej rreth 275.2 m2 dhe një godinë 2 kateshe + bodrum + papafingo të rregjistruar më datë 24.03.2021. Ndërsa vëllai i tij një aktivitet privat me fushë të veprimtarisë riparim automjetesh, tregti me pakicë te pjesëve të perdorura dhe te reja, import, shitje dhe blerje makinash.
Nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar për sa i përket pasurisë së luajtshme të shtetasit A.Ll., rezulton se ka një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se kjo pasuri është fituar si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale në aktivitetin e prodhim dhe shitje narkotikësh.
Për këtë arsye, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkoi sekuestrimin e pasurive të mëposhtme që rezultojnë të regjistruara në emër të personave të lidhur me subjektin:
· Pasuria e paluajshtme me nr. 416/118, me sip totale 403.1 m2 “Truall” dhe 275.2 m2 ndërtesë, ½ pjesë;
· 2 automjete të tipit Opel Corsa dhe Geep Grand Cherokke; dhe
· Aktivitetin tregtar me fushë të veprimtarisë riparim automjetesh, tregti me pakicë ë pjesëve të përdorura dhe të reja, import, shitje dhe blerje makinash me emrin tregtar Auto Lleshi, NUIS L52116150G.







