Organizata e Gruas Shqiptare në Audiovizual (AWA) dhe Rrjeti i Grave në Media kanë reaguar publikisht ndaj ministrit të Pushtetit Vendor Ervin Demo , pas një komenti të bërë ndaj gazetares Luela Gaxhja gjatë një interviste.
Sipas organizates, përgjigjja e ministrit “Je shumë simpatike” nuk ishte e rastësishme, por një formë e vjetër e seksizmit, që zhvlerëson gruan profesioniste duke e reduktuar në pamjen e saj, në vend që të përgjigjet për pyetjen legjitime që ajo kishte bërë.
Në deklaratë theksohet se një koment i tillë nuk i drejtohet zakonisht kolegëve meshkuj, duke e bërë dukurinë një shenjë të ushtrimit të pushtetit dhe intimidimit të butë ndaj grave në profesionin e gazetarisë.
Organizata dhe Rrjeti i Grave në Media kërkojnë një falje publike nga ministri, duke e cilësuar si të papranueshëm mosrespektimin e standardeve profesionale nga një zyrtar publik. Deklarata e tyre gjithashtu rikujton rëndësinë e vazhdimit të luftës kundër seksizmit në media, pavarësisht amendimeve ligjore që e përfshijnë këtë fenomen.
Në përfundim, AWA dhe Rrjeti i Grave në Media theksojnë se nuk do ta heshtin fenomenin dhe nuk do ta normalizojnë këtë lloj sjelljeje ndaj grave profesioniste.
Deklarata e plotë:
DEKLARATË PUBLIKE
Organizata e Gruas Shqiptare në Audiovizual dhe Rrjeti i Grave në Media
Zoti Ministër Demo,
Kur gazetarja Luela Gaxhja ju bëri një pyetje legjitime në interes të publikut, ajo nuk ishte atje për t'ju pëlqyer. Ajo nuk ishte atje për të qenë "simpatike". Ajo ishte atje për të bërë punën e saj - punën e gazetarisë, që nuk kërkon as miratimin tuaj, as komplimentet tuaja.
Përgjigja juaj - "Je shumë simpatike" - nuk ishte as e rastësishme, as e pafajshme. Ishte një taktikë e vjetër sa vetë historia e seksizmit: ta zhvlerësosh një grua profesioniste duke e reduktuar në pamjen e saj, duke e kthyer në objekt vlerësimi estetik pikërisht në momentin kur ajo kërkon llogari.
A do t'ia thoshit një gazetar mashkull se sa "simpatik" është? Natyrisht që jo. Sepse burrat në profesionin tonë janë kolegë, ndërsa gratë - sipas logjikës suaj - duhet të mbeten "të këndshme".
Kjo nuk është vetëm një çështje gjuhe. Kjo është pushtet. Pushtet që ushtrohet kur një zyrtar publik, në vend që të përgjigjet për punën e tij, vendos ta vlerësojë gruan që po ia kërkon llogari. Kjo është intimidim i butë, por intimidim megjithatë.
Gruaja Shqiptare në Audiovizual ka ngritur prej vitesh problemin e seksizmit ndaj vajzave dhe grave në media. Pas lobimit disa-vjeçar nga ne, ligji “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” u amendua, për t'i shtuar dhe “seksizmin” si koncept.
Pavarësisht përmirësimit ligjor, raste të tilla si e ministrit Demo ndaj gazetarja Gaxhja, na kujtojnë se lufta ndaj fenomenit të seksizmit duhet të vijojë dhe raste të tilla nuk mund të anashkalohen.
Ndaj ne nuk do ta heshtim. Ne nuk do ta normalizojmë. Dhe patjetër që nuk do ta gjejmë "kompliment".
Gazetarja Gaxhja bëri punën e saj me profesionalizëm. Ju, zoti Ministër, dështuat t'i përgjigjeni me të njëjtin profesionalizëm. Dhe kjo, për një zyrtar publik, është e papranueshme.
Kërkojmë falje publike. Jo për ne, por për standardin që ju duhet t'i përmbaheni.
Organizata e Gruas Shqiptare në Audiovizual (AWA)
Rrjeti i Grave në Media/ Versus.al







