Gjykata e Posaçme ka shpallur moskompetencë për kërkesën e bërë nga Ilir Meta për lirimin nga qelia. Shkak për këtë është bërë kërkesa e avokatëve të Metës të cilët kanë kërkuar që të përballen me gjyqtarin Erjon Çela i cili e ka ndjekur çështjen dhe jo me gjyqtarin e gatshëm Erjon Bani. Në këto kushte, seanca mund të zhvillohet javën e ardhshme.
“Nuk mundet që një gjyqtar tjetër të futet në çështje që nuk e ka shqyrtuar. Duke qenë se kërkesa duhet shqyrtuar brenda 15 ditëve dhe prandaj e mori përsipër Erjon Bani. Por ne nuk mund ta lejonim këtë jo se kemi gjë me Banin, por sepse duam të përballemi me gjyqtarin që e ka ndjekur çështjen”- tha Cakrani i cili u shpreh më tej: “zoti Meta do lirohet, për këtë jam i bindur sepse nuk ka asnjë arsye për të mbajtur në qeli”.

Përsa i takon kërkesës së bërë në Gjykatën Kushtetuese, Cakrani tha se institucioni do të duhet të japë përgjigjie brenda muajit tetor, ndërsa theksoi se po përgatiten materialet për ta dërguar çështjen e Metës deri në Gjykatën Evropiane të Strasburgut.
Sot në seancë nuk ishin të pranishëm as prokurorët e posaçëm të SPAK, Altin Dumani, Arben Kraja e Sotir Kllapi të cilët janë me pushime dhe kështu Prokuroria e Posaçme u përfaqësua nga Alfred Shehu.
Ilir Meta ka kërkuar masë më të butë sigurie me pretendimin se me përfundimin e hetimeve për dosjen e tij, nuk ka mundësi që të ndërhyjë për të prishur provat. Që prej 21 tetorit të vitit 2024, Meta po mbahet në paraburgim nën akuzë se ka kryer veprat penale të korrupsionit pasiv, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë. Versus.al