Gjykata e Posaçme ka vulosur dosjen hetimore ku ishte i përfshirë ish-deputeti i Partisë Socialiste Jurgis Çyrbja, i shumëkërkuari Altin Hajri dhe Ahmet Masha, bashkëpunëtor i Çyrbjas.
GJKKO ka pranuar pretencën e dhënë nga SPAK duke e dënuar përfundimisht me 2 vite burg, ish-ligjvënësin socialist i cili ka kryer 3 veprat penale: “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, “Përkrahja e autorit të krimit”, dhe “Tregëtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”.
I njëjti dënim është dhënë në mungesë edhe për Altin Hajrin, kreun e klanit “Hajri” i cili prej 2020-ës është në kërkim për vrasjen dhe zhdukjen e Jan Prengës në kompleksin “Golden”. Hajri u shpall fajtor për veprat penale tregim të sekretit shtetëror dhe korrupsion në zgjedhje.
Ndërsa për Ahmet Mashën i cili u shpall fajtor për tregim të sekretit shtetëror dhe përkrahjen e autorit të krimit, është caktuar dënimi me 1.8 vite burg. Të tret ë dënuarit për këtë dosje, përfituan nga gjykimi i shkurtuar.
Dënimin, Çyrbja do ta vuajë në një burg të sigurisë së zakonshme. Kujtojmë se ai u arrestua më 20 tetor të vitit të kaluar pasi kishte dhënë dorëheqjen si deputet, mandat të cilin e kishte përdorur për të dhënë informacione të operacioneve të policisë ndaj personave të shpallur në kërkim. Ai dyshohet se ka strehuar në shtëpinë e tij Altin Hajrin dhe ky i fundit e ka ndihmuar që të bëhet deputet në zgjedhjet parlamentare të 2021-it duke ndikuar që të futej në listën e kandidatëve të PS dhe më pas duke blerë vota në zgjedhje. Versus.al


