Gjykata e Tiranës ka lënë në burg Elvis Shkambin, autorin e vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit rreth orës 15:30 të së hënës. Po ashtu në burg është lënë edhe xhaxhai i tij Gjon Shkambi i cili dyshohet se e ka përkrahur dhe nxitur nipin e tij për aktin tronditës.
E njëjta masë sigurie u la në fuqi edhe për rojen e sigurisë të "Ilyrian Guard", 63 vjeçarin Banush Koxha i cili akuzohet për shpërdorim detyre pasi nuk reagoi në momentin kur pajisja e skanerit sinjalizoi armën e zjarrit që mbante me vete autori.
Gjatë seancës, autori Shkambi tha se u kërkon falje familjarëve të gjyqtarit Kalaja dhe theksoi se krimin e rëndë ishte shtyrë ta kryente si pasojë e gjendjes së rënduar psikologjike në të cilën ndodhej për shkak të gjyqeve pa mbarim për pronën. Nga ana tjetër roja, Koxha pretendoi se ai kishte njoftuar zyrtarin përgjegjës se nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore pasi vuan nga diabeti. Versus.al







