Tiranë- Prokuroria e Tiranës ka dhënë pretencën për dënimin me 10 vite burg të shtetasit nigerian, Sebastian Negbenedor i cili akuzohet për veprën penale “mashtrim kompjuterik”.
Ky person u denoncua nga biznesmeni Erges Baxha i cili prej 10 vitesh administron biznesin e tij të detergjentëve të importuar nga Italia në Sauk. Prej vitesh ai komunikonte me një adresë emaili me palën italiane ku bënte porosinë dhe pasi merrte mallin, u dërgonte transfertën e parave përmes bankës.
Një ditë nga emaili i palës italiane i vjen një kërkesë që pagesën të mos e bënte më në llogarinë e kompanisë në Itali, porn ë Gjermani me faturën përkatëse. Biznesmeni, fillimisht pa se emaili ishte i njëjtë dhe aty ishte fatura e saktë e kompanisë italiane e dërguar në komunikimet e mëparshme elektronike. Duke ditur që janë kompani shumëkombëshe, kreu pagesën dhe vetëm më pas u konstatua se në email ndryshonte një gërmë, pra nuk ishte i njëjti me kompaninë italiane.
Pas disa kohësh ai kontaktohet nga kompania Italiane pasi nuk kishin marrë shumën prej 25000 eurosh nga ku kuptoi se pagesën e kishte bërë në një adresë tjetër. Hetimet zbuluan se përfituesi ishte shtetasi nga Nigeria, Negbenedor. Pre e këtyre mashtrimeve kanë rënë edhe kompani të tjera në Shqipëri si pasojë e nivelit të ulët të mbrojtjes kibernetike apo përdorimit të fjalëkalimeve të thjeshta. Versus.al







