Prokuroria e Posaçme ka dënuar me forcë vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja sot në Tiranë duke e konsideruar si një akt të rëndë që duhet të shërbejë për rritjen e sigurisë në gjykata. SPAK ka bërë thirrje për reagim të shpejtë institucional për të ndaluar përsëritjen e akteve të tilla.
“Prokuroria e Posaçme dënon me forcë vrasjen e paprecedentë të gjyqtarit Astrit Kalaja, ngjarje që ndodhi brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit, Tiranë. I shprehim ngushëllimet tona familjes së gjyqtarit Kalaja, të afërmve dhe kolegëve të tij në këtë moment të dhimbshëm.
Gjithashtu, shprehim solidaritetin tonë me të gjithë gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe punonjësit e sistemit të drejtësisë, të cilët përballen çdo ditë me sfida të mëdha në kryerjen e detyrës.
Ky akt i rëndë duhet të shërbejë si thirrje urgjente për rritjen e sigurisë në gjykata, forcimin e masave mbrojtëse për gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe punonjësit e drejtësisë si edhe për një reagim të shpejtë institucional, për të ndaluar përsëritjen e akteve të ngjashme”- thuhet në reagim. Versus.al







