Ditën e sotme rreth 27 mijë maturantë në të gjithë vendin do t’i nënshtrohen provimit të tretë, këtë herë rreth njohurive të tyre në lëndën e matematikës. Nxënësit duhet të paraqiten në ambientet ku do të zhvillohet provimi në orën 08:30, ndërsa provimi do të nisë në orën 10:00 dhe do të zgjasë 2 orë e 30 minuta.
Risia e këtij viti edhe në dy provimet e mëparshme të Gjuhës së Huaj dhe Gjuhës Shqipe e Letërsisë, ka qenë fakti se ka patur teste të personalizuara për maturantët me aftësi të kufizuara.
Në total janë ngritur 145 qendra ku do të zhvillohen provimet, ndërsa 640 mësues janë përfshirë në procesin e vlerësimit.
Rregullat në provim:
Nxënësit duhet të kenë me vete mjet identifikimi (kartë ID ose pasaportë);
Gjatë provimit nxënësit duhet të kenë veshje të rregullt, uniforma e shkollës;
Gjatë kohës që zhvillohet provimi ndalohen rreptësisht: telefonat dhe ora smart;
Nxënësit duhet të përdorin stilolaps me një ngjyrë dhe kurrë më shumë se një ngjyrë në plotësimin e testit;
Firmosni kur merrni dhe dorëzoni testin;
Kontrolloni testin për pasaktësi ose paqartësi në lexim;
Nuk lejohet largimi para 12:30;
Sjellje korrekte dhe vëmendje gjatë testit.
Më 24 qershor zhvillohet provimi i fundit, ai i lëndës me zgjedhje. Problematikë e njëjtë mbetet publikimi i tezës së provimit pak minuta pas nisjes. Megjithatë ministria e Arsimit e ka cilësuar këtë si një veprim që nuk dëmton procesin dhe angazhimin e mësuesve në të gjithë vendin. Versus.al







