
Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi nuk do të paraqitet ditën e sotme në SPAK në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” të caktuar nga GJKKO vitin e kaluar.
Mësohet se Kryemadhi ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për këtë udhëtim ka marrë leje nga Prokuroria e Posaçme.
Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme, deputetja duhet të paraqitet në SPAK të hënën e parë të çdo muaji në orën 12:00. Ndaj saj dhe ish-bashkëshortit Ilir Meta rëndojnë akuzat për veprat penale të korrupsionit, fshehjes së pasurisë dhe pastrimit të parave.
As kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha nuk do të paraqitet në SPAK në zbatim të masës së sigurisë, pasi ka marrë lejen e posaçme nga institucioni për të marrë pjesë në një kongres të CDU-së në Gjermani. Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai kanë qenë prokurorët që i kanë dhënë lejen Berishës për t’u mos u paraqitur në organin e akuzës. Versus.al







