Më 21 maj të këtij viti, autoritetet italiane dhe SPAK lëshuan disa masa arresti ndaj grupit të kryesuar nga Elvis Doçi “Visi i Pojës” dhe Adi Çoba. Përveç masave të arrestit, pati edhe sekuestrim të disa pasurive që dyshohet se vinin nga trafiku ndërkombëtar i drogës.
Ndërkohë së fundmi, autoritetet italiane kanë sekuestruar edhe 100 mijë euro dhe një vilë në zonën bregdetare të Torre a Mare në kuadër të hetimeve për operacionin “Ura” në bashkëpunim me SPAK.
Sekuestrimi u krye ndaj një shtetasi italian, tashmë i arrestuar dhe ndodhur në burg, i dyshuar për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të drogës mes Shqipërisë, Italisë dhe Belgjikës. Sipas gjykatës italiane, pasuritë janë përfituar nga veprimtaritë kriminale, kryesisht trafiku i kokainës dhe heroinës.
Operacioni “Ura”, i zhvilluar nga Prokuroria Antimafia e Barit në bashkëpunim me SPAK-un në Tiranë, goditi 52 persona të dyshuar për trafik narkotikësh, pastrim parash dhe shpërdorim detyre. Sekuestrimi i fundit është pjesë e këtij hetimi të gjerë, që synon goditjen e rrjeteve kriminale shqiptare të përfshira në trafikun e lëndëve narkotike.
Vlera e pasurive të sekuestruara më herët, përllogaritet në shifra prej miliona eurosh. Versus.al







