Pamjet filmike të ngjarjes së ndodhur 8 muaj më parë në Tiranë ku u vra me thikë 14 vjeçari Martin Cani kanë sjellë reagime të forta në opinionin publik. Kjo për faktin se në video shfaqen disa persona si dëshmitarë rastësorë, mes tyre edhe 2 të rritur.
Sa i takon publikimit të kësaj videoje, gazetarja Anila Hoxha deklaroi në “Top Story” se prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet ndaj gazetarit që publikoi videon dhe jo ndaj atij që duhej të ruante sekretin hetimor.
Sipas saj, kjo sjellë frikësim të gazetarëve të cilët video të tilla i publikojnë për qëllimin e informimit të opinionit publik.
“Precedenti i zbulimit të akteve dhe nisjes së hetimeve, kur një gazetar publikon të dhëna nga një dosje hetimore, është i rrezikshëm për mjedisin mediatik dhe punonjësit e mediave.
Nuk është fiks si rasti ‘Qyno’… Precedenti juridik është thuajse i ngjashëm, sepse dhe në rastin ‘Qyno’ gjykata pretendonte që mos të publikoheshin akte, Qyno i shkoi deri në fund, publikoi të dhëna dhe u kontrollua banesa e tij e pati më pas masa. Prokuroria shqiptare thotë që do hetojë se kush e nxori sekretin dhe nuk do hetojë atë që kishte për detyrë të ruante sekretin. Është shuma paradoksale. Kjo sjell frikësim të gazetarëve dhe është e pazakontë.
Do ndaj një moment, pasi u publikua video, Eraldo më telefonoi dhe ishte shumë i mërzitur. Më kërkoi një mendim dhe fjalia ishte: ‘A kam gabuar që e nxora?’. I thashë: ‘Ky është një vendim i yti personal dhe profesional, dhe vetëm ti e di çfarë po hulumton. Je duke ngritur pikëpyetje për një person tjetër që nuk ishte aty’. Gazetari e di se ku po e shtyn historinë.
Janë disa parime, respektimi i zisë. Duhet të ketë kujdes kur ka fëmijë etj. Kur është vrarë Klodian Rasha, ne publikuam videon, me një kujdes të jashtëzakonshëm u fshi çdo pamje dhe ne ishim të qartë çfarë po bënim. Reagimi ishte akuzues. Njerëz që shokoheshin, por ka shumë rëndësi qëllimi. Nuk besoj që Eraldo e ka publikuar videon për efektin ‘click-by’. Besoj se ka një qëllim në sensin e investigimit që po kryen”, u shpreh gazetarja Hoxha. Versus.al







