AKTUALITET /

‘Paralizuan’ vendin për tre orë me mosbindje civile, kallëzohen në SPAK 16 deputetë të PD-së, procedohen dhjetëra protestues

Tirana, Elbasani dhe Fieri janë qarqet me më së shumti protestues të proceduar në gjendje të lirë pas mosbindjes civile gjatë mbrëmjes së djeshme në 6 akse rrugore të vendit, të cilat u bllokuan për 3 orë.

Shkruar nga Versus

‘Paralizuan’ vendin për tre orë me mosbindje civile,

Qindra protestues dhe 16 deputetë të Partisë Demokratike janë proceduar penalisht nga policia për protestën e zhvilluar mbrëmjen e djeshme ku u bllokuan akset kryesore të vendit për rreth 3 orë në kuadër të mosbindjes civile.

Për 16 ligjvënësit demokratë të cilët ishin në krye të aksionit për bllokimin e rrugëve, u referuan materialet në SPAK nën akuzën e prishjes së qetësisë publike.  Ndërsa nga ana e protestuesve, plot 195 persona janë tashmë nën procedim penal.

"Janë referuar materialet në SPAK, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 16 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë (4 në Tiranë, 4 në Durrës, 3 në Fier, 3 në Elbasan dhe 2 në Lezhë) dhe për kryetarin e bashkisë Kavajë, për veprat penale "Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit", "Prishja e qetësisë publike" dhe "Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, thuhet në njoftimin e policisë.

Burimet bëjnë me dije se deputetët e kallëzuar janë: Xhelal Mziu, ⁠Flamur Noka, ⁠Asllan Dogjani, Albana Vokshi, Luan Baçi,Tritan Shehu, Kasem Mahmutaj, Edi Paloka, Ervin Minarolli, Bledjon Nallbati, Dashnor Sula, Tomorr Alizoti, Qani Xhafa, Edmond Spaho, Elda Hoti dhe Kastriot Piroli. Në hetim është dhe kryetari i bashkisë Kavajë: Fisnik Qosja.

Nga 12 të arrestuarit gjatë mbrëmjes së djeshme në Elbasan, vetëm 3 prej tyre janë mbajtur në qelitë e paraburgimin, ndërsa 3 të tjerë janë në kërkim për kundërshtim të forcave të policisë. Në total 195 protestues po procedohen në gjendje të lirë. Pati përplasje mes deputetëve dhe efektivëve, teksa Edmond Spaho pretendoi se një efektiv i veshur si civil e kishte goditur. 

Në Fier, nisi hetimi për 15 protestues, mes të cilëve edhe deputeti Luan Baçi nën akuzën e bllokimit të rrethit të Levanit për 3 orë. Ndërkohë në Tiranë, janë proceduar në gjendje të lirë 30 protestues të cilët po hetohen për bllokimin e hyrjes në kryeqytet pranë Casa Italias, për djegien e gomave dhe kundërshtim të forcave të policisë. Në përplasje me efektivët u përfshinë edhe deputetët. 

Gjashtë akse të vendit u paralizuan mbrëmjen e djeshme nga ora 17:00 deri në orën 20:00 në kuadër të protestës së njoftuar nga Partia Demokratike e cila tashmë ka hyrë në mosbindje civile “pa kthim” siç e kanë cilësuar edhe vetë përfaqësuesit e saj me kërkesë kryesore krijimin e një qeverie teknike.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera nga drejtoritë vendore të Policisë Tiranë, Elbasan, Durrës, Fier dhe Lezhë, në drejtimin e prokurorive përkatëse, për dokumentimin e paligjshmërive të kryera gjatë tubimeve të djeshme, në pikat lidhëse të këtyre qyteteve, si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të tyre, ju informojmë se:

-Janë arrestuar 4 shtetas, 3 në Elbasan dhe 1 në Tiranë, për veprat penale "Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik" dhe/ose "Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit".

-Janë referuar materialet në prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 195 shtetas, përkatësisht 92 në Durrës, 36 në Fier, 33 në Tiranë, 20 në Elbasan dhe 14 në Lezhë. Janë shpallur në kërkim 5 shtetas, përkatësisht 3 në Elbasan dhe 2 në Tiranë.

-Janë referuar materialet në SPAK, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 16 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë (4 në Tiranë, 4 në Durrës, 3 në Fier, 3 në Elbasan dhe 2 në Lezhë) dhe për kryetarin e bashkisë Kavajë, për veprat penale "Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit", "Prishja e qetësisë publike" dhe "Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Ditën e djeshme, këta shtetas janë grumbulluar në pikat lidhëse të qyteteve Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier dhe Lezhë dhe kanë penguar qarkullimin e mjeteve. Gjithashtu, disa prej tubuesve kanë lënë automjetet e tyre në rrugë, me qëllim bllokimin e qarkullimit.

Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, identifikimin e drejtuesve të automjeteve me të cilat u bllokua qarkullimi, si dhe në drejtimin e prokurorive kompetente, po hetohet për të identifikuar shtetasit e tjerë të implikuar në paligjshmëri gjatë këtyre tubimeve. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: