AKTUALITET /

Policë nëpër gjykata dhe ndërtimi i 8 godinave të reja nëpër rrethe, KLGJ plan masash për sigurinë e Gjyqësorit

Sipas planit të masave të KLGJ, godinat ekzistuese dhe ato të reja që do të ndërtohen, duhet t'i kalojnë institucionit në pronësi si dhe të ruhen me prani të efektivëve të policisë.

Shkruar nga Versus
Policë nëpër gjykata dhe ndërtimi i 8 godinave të reja
Fotomontazh, gjyqtari i vrarë brenda sallës së gjyqit, Astrit Kalaja

Të premten 260 gjyqtarë të Republikës së Shqipërisë zhvilluan një mbledhje në Tiranë lidhur me ngjarjen e ndodhur më 6 tetor ku gjyqtari i Apelit të Tiranës, Astrit Kalaja u vra me armë zjarri brenda sallës së gjyqit nga 30 vjeçari Elvis Shkambi.

Së fundmi, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka përgatitur një plan masash në përgjigjie të kërkesave dhe problematikave të raportuara nga gjyqtarët duke nisur nga siguria e tyre nëpër godinat e gjykatave e deri tek pajisja me mjetet e duhura si dhe bashkëpunimin me Autoritetin e Mediave Audiovizive sa i takon identifikimit të platformave ku përdoret gjuhë kërcënuese ndaj gjyqtarëve.

Në secilën gjykatë kërkohet prania e policëve të trajnuar.

Mes të tjerash, KLGJ bën me dije se do të kërkojë nga bashkitë ndërtimin e 8 godinave të tjera të gjykatave të shkallës së parë në qarqe të ndryshme si dhe ndërtimin e një tjetër godine për gjykatën e Apelit në Tiranë. Në përfundon të ndërtimit, KLGJ në planin e masave kërkon që godinat ekzistuese dhe ato që do të ndërtohen të kalojnë në pronësi të këtij institucioni.

Plani i plotë i masave të KLGJ:

Këshilli i Lartë Gjyqësor, në mbledhjen e datës 10.10.2025, në vijim të përmbushjes së detyrimeve kushtetuese dhe ligjore, me qëllim adresimin e problematikave dhe nevojave të ngritura në takimin e zhvilluar nga gjyqtarët, vendosi të hartojë një plan masash që kanë të bëjnë me:

-Marrjen dhe analizimin e informacionit të detajuar, lidhur me masat e marra dhe kërkesat drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor nga secila gjykatë, nga Kryetari, Zëvendëskryetarët ose Këshillat e Gjykatës, gjatë viteve 2023, 2024, 2025, me objekt administrimin/menaxhimin e sigurisë në gjykatë;

-Marrjen e informacionit lidhur me kushtet ekzistuese të shërbimit dhe të infrastrukturës së sigurisë në gjykata, pajisjen me skanera, detektorë, kamera sigurie, pajisje të tjera sigurie, si dhe funksionimin e tyre, në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, me qëllim standardizimin e procedurave dhe trajnimin e personelit për menaxhimin e situatave që lidhen me sigurinë;

-Pas analizimit të informacionit të marrë dhe identifikimit të problematikave dhe nevojave konkrete, ngritjen e një grupi ndërinstitucional pune me qëllim:

i) adresimin e ndryshimeve ligjore dhe nënligjore për marrjen e masave për garantimin e sigurisë në gjykata për gjyqtarët, personelin gjyqësor dhe çdo përdorues të gjykatës;

ii) sigurimin e pranisë së punonjësve të sigurisë të trajnuar apo pjesë e Policisë së Shtetit;

iii) miratimin e protokolleve dhe procedurave standarde të sigurisë për secilën gjykatë;

-Ngritjen e një grupi ndërinstitucional pune, me përfaqësues nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, me qëllim hartimin e masave të përbashkëta për sigurinë në sistemin gjyqësor në tërësi;

-Përafrimin e kuadrit ligjor me praktikat më të mira ndërkombëtare, lidhur me sigurinë e gjyqtarëve, stafit mbështetës, si dhe përdoruesve të gjykatës;

-Duke mbajtur në vëmendje detyrimet ligjore dhe punën e nisur nga viti 2021 e në vijim, me qëllim sigurimin e një infrastrukture të përshtatshme për kushtet e punës dhe sigurisë në gjykata, në bashkërendim me këshillat e secilës gjykatë, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi të marrë masa të menjëhershme lidhur me adresimin pranë pushtetit vendor dhe kërkimin e ndihmës për ndërtimin e 8 godinave të reja të gjykatave të shkallës së parë në rrethet gjyqësore, si dhe ndërtimit të godinave të reja për Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë;

-Gjithashtu Këshilli, nxit gjykatat që të marrin masa për zbatimin e projekteve, në mënyrë që fondet e akorduara të realizohen brenda vitit buxhetor;

-Në kuadër të pavarësisë institucionale, në bashkërendim me Ministrinë e Drejtësisë, të kërkojë kalimin në pronësi të Këshillit të Lartë Gjyqësor, të godinave ekzistuese të gjykatave dhe atyre që do të ndërtohen;

-Analizën e të dhënave nga raportimet periodike të gjykatave, me qëllim rritjen e performancës dhe përkushtimit profesional dhe moral të secilit magjistrat;

-Ngritjen e grupeve të punës me qëllim hartimin e propozimeve për ndryshime ligjore në ligjin nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ligjin nr. 98/2016, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, të përbërë nga anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, gjyqtarë nga të tre shkallët e gjyqësorit, Gjykata e Lartë, Gjykatat e Apelit dhe Gjykatat e Shkallëve të Para, si dhe staf drejtues administrativ pranë Këshillit;

-Bashkëpunimin me AKEP dhe AMA, me qëllim marrjen e masave për ndalimin e gjuhës së papërshtatshme ndaj gjyqtarëve në rrjetet sociale, platformave online dhe media, informimin e këtyre institucioneve mbi situatën aktuale, si dhe duke kërkuar prej tyre marrjen e masave konkrete brenda kompetencave ligjore;

-Nisjen e procedurës për emërtimin e sallës së amfiteatrit në godinën “Poli i Drejtësisë” me emrin “Astrit Kalaja”, si dhe dërgimin e propozimit tek institucionet përkatëse, për dhënien e titullit “Dëshmor i Atdheut” gjyqtarit të rënë në krye të detyrës.

Këshilli i Lartë Gjyqësor mbetet i përkushtuar për garantimin e një sistemi drejtësie të sigurt, të pavarur dhe funksional, në shërbim të qytetarëve dhe shtetit të së drejtës. Versus.al

Poll