AKTUALITET /

Policia zbardh vr*sjen e gjyqtarit: Skaneri dha sinjal për pistol*tën, por roja qëndroi në karrige! Xhaxhai i autorit, nuk ndërhyri

Shkruar nga Versus

Policia zbardh vr*sjen e gjyqtarit: Skaneri dha sinjal për pistol*tën,

Policia ka zbardhur dinamikën e vrasjes së ndodhur ditën e djeshme në sallën e gjyqit të gjykatës së Apelit ku u ekzekutua me armë zjarri gjyqtari Astrit Kalaja. Në pranga për këtë ngjarje kanë rënë, autori Elvis Shkambi 30 vjeç, xhaxhai i tij Gjon Shkambi, 56 vjeç dhe roja i sigurisë së gjykatës, Banush Koxha, 63 vjeç.

Dinamika e ngjarjes

Për të zbardhur krimin e rëndë, policia ka analizuar të gjitha pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë. Në orën 13:42 në ambientet e sallës së pritjes për publikun në gjykatë, janë future dhe kanë kaluar tek pajisja e skanerit autori Elvis Shkambi dhe xhaxhai i tij Gjon Shkambi.

Detektori i metaleve ka sinjalizuar me dritë të kuqe, pasi Elvis Shkambi mbante pistoletën tip “Berreta” në brez, por pavarësisht këtij sinjalizimi roja, Banush Koxha ka qëndruar i ulur në karrige dhe nuk ka kryer asnjë veprim për të kontrolluar personat që po hynin në gjykatë duke mos bërë as regjistrimin e tyre në librin e protokollit.

Të dy, Elvis Shkambi dhe xhaxhai i tij qëndrojnë në hollin e pritjes së gjykatës deri rreth orës 15:29 dhe futen në ambientet e sallës ku zhvillohej senaca gjyqësore. Në orën 15:35 palët ngrihen në këmbë dhe menjëhere pasi gjyqtari Astrit Kalaja shpalli vendimin, Elvis Shkambi nxorri armën dhe qëlloi disa herë në drejtim të tij duke i shkaktuar vdekjen.

Njëkohësisht pas këtij veprimi, Shkambi i drejton pistoletën dhe qëllon njëherë në drejtim të palës paditëse Rakip Kurtajt dhe djalit të tij Ervis Kurtaj duke i lënë të dy të plagosur. Sipas hetimeve, rezulton se Gjon Shkambi nuk ndërmerr asnjë veprim për të ndaluar veprimet kriminale të nipit të tij, duke ngjallur dyshimet se ai ka qenë në dijeni për ekzekutimit të gjyqtarit ose ndihmës.

Pasi ka kryer aktin e rëndë, Elvis Shkambi ka dalë nga salla dhe ia ka dorëzuar pistoletën “Berreta” nënpunësit gjyqësor, B.P.

Në përfundim të të gjitha veprimeve proceduriale, u bë arrestimi në flagrancë sipas veprave penale si më poshtë:

Elvis Shkambi, 30 vjeç, si i dyshuar për veprat penale të “Vrasja e funksionarëve publikë” e kryer në bashkëpunim, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;

Gjon Shkambi, 56 vjeç, si i dyshuar për veprat penale të “Vrasja e funksionarëve publikë” e kryer në bashkëpunim dhe “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim;

Banush Koxha, 63 vjeç, si i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”;

Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale pistoletën me tre fishëkë të përdorur nga autori dhe prova të tjera materiale të gjetura në vendin e ngjarjes. Versus.al

Poll