Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula e quajti “sfilatë” protestën e bërë nga demokratët më 22 dhjetor para kryeministrisë duke theksuar se asgjë nuk shkoi sipas pritshmërive. Ai tha se Berisha nuk mund të sjellë ndryshimin pasi qytetarët deklarojnë vazhdimisht se kryedemokrati ka vrarë njerëz.
Sipas tij me këtë lloj lidershipi, PD nuk ka asnjë shans që të rrëzojë qeverinë pavarësisht skandaleve të shumta.
"Protesta dje ishte sfilatë për mendimin tim. Edhe një sfilatë ka pjesëmarrje. E quaj sfilatë sepse pritshmëritë u ngritën shumë lart; ka militantë të PD që besonin se do rrëzohej qeveria, dhe shkuan, dhe mirë bënë. Më shumë duhet të ishin, sepse protestat janë të rëndësishme. Por problemi është pse u organizua protestë. Për deklarata?
Të besosh se pas 35 vitesh do e sjellë Sali Berisha ndryshimin, nuk e sjell dot më. Nuk kam asgjë personale me Berishën, por dëgjoj çfarë thonë njerëzit: 10 njerëz, 7 thonë do votoj Ramën sepse edhe pse është e korruptuar, qeveria e Berishës ka vrarë njerëz. Unë si qytetar dua që në Shqipëri të funksionojë demokracia, të ndërrohen elitat dhe të vetëpastruar.
Opozita e vërtetë fatkeqësisht është SPAK dhe GJKKO. PD dhe Berisha nuk mendojnë të bashkojnë gjithë vagonat e opozitës, mbajnë vetëm lokomotivën e vetë. Sa kohë PD vijon me këtë lidership, shanset janë zero."-tha Sula. Versus.al

