
Pamjet e sigurisë kanë zbuluar detaje tronditëse mbi mënyrën se si u ekzekutua gjyqtari i Apelit, Astrit Kalaja, pasditen e djeshme brenda sallës së gjyqit. Menjëherë pasi kishte shpallur vendimin, Elvis Shkambi nxori armën nga brezi dhe e qëlloi për vdekje.
Portali “JOQ Albania” ka publikuar pamjet e kamerës së sigurisë së vendosur në oborrin e Gjykatës së Apelit, ku shihet 30-vjeçari qëndron i qetë, me duar në xhepa, pas kryerjes së krimit.
Ndërkohë, xhaxhai i tij shihet në derën e institucionit, që tymos një cigare me qetësi.
Pak më tej, në sportelin e jashtëm, qëndron edhe një burrë i katërt, për të cilin ende nuk dihet se çfarë roli ka pasur.
Në momentin që i afrohet polici i parë, Shkambi shprehet: “Hajde, unë jam vrasësi.”
Në video, e cila nuk ka zë, duket se ai i thotë diçka tjetër efektivit, por fjalët nuk kuptohen.
Pas disa çastesh, polici e kupton se përballë ka autorin e krimit dhe nis menjëherë procedurat për ta prangosur, duke lajmëruar edhe kolegët që ndërhyjnë për të ndaluar të tjerët e pranishëm.
Një ngjarje e rëndë dhe e pabesueshme, jo vetëm për aktin në vetvete, por edhe për qetësinë e ftohtë me të cilën reaguan autorët pas vrasjes.







