AKTUALITET /

“SCAM”, goditet grupi me 40 persona që mashtronte evropianët me call-center! Sekuestrohen mbi 106 mijë euro

Vetë gjatë muajit tetor, objektivi i grupit ishte që të siguronte shumën prej 1.5 milionë eurove.

Shkruar nga Versus

“SCAM”, goditet grupi me 40 persona që mashtronte

Tiranë- Drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike ka goditur një grup prej 40 personash që ushtronin veprimtarinë “call center” me anë të të cilës mashtronin shtetas evropianë që të investonin në bursa fiktive.

Në pranga kanë rënë administratorët Kejsi Përgjegji 28 vjeç dhe Marjus Hysa, 38 vjeç. Në banesën e këtyre të dyve janë gjetur në total 106.710 euro dhe 700 mijë lekë të reja që dyshohet se janë përfituar falë mashtrimit të shtetasve të huaj. Gjithashtu policia ka proceduar 38 operatorë të cilët ishin të punësuar në këto aktivitete të paligjshme, ndërsa u sekuestruan 51 kompjutera dhe 14 celularë.

Qendra e grupit ishte në rrugën “Bardhok Biba” ku subjekti “maskohej” si agjenci marketingu. Në kompjuterat e sekuestruar u gjetën listat e vendosura për çdo operator në momentin e prezantimit me viktimën dhe u zbulua se për muajin tetor objektivi ishte sigurimi i shumës prej 1.5 milionë eurosh. 



Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme hetimore për veprat penale “Mashtrim me pasoja të rënda”; “Punësim i paligjshëm”; “Fshehje të ardhurash”; “Mospagim i taksave dhe tatimeve”; dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Versus.al

Poll