AKTUALITET /

Shqipëria me më shumë autobusë për frymë se Bashkimi Europian, por me flotë të vjetruar

Shkruar nga Versus

Shqipëria me më shumë autobusë për frymë se

Shqipëria renditet mes vendeve me numrin më të lartë të autobusëve për frymë në Europë, por kjo nuk është shenjë e një transporti publik të zhvilluar. Raporti i autobusëve urbanë dhe autobusëve ndërqytetas arrin 3.8 mjete për 1 000 banorë, dukshëm mbi mesataren e Bashkimit Europian prej 1.6.

Ky nivel i lartë lidhet kryesisht me mungesën e alternativave të tjera të transportit publik, pasi vendi nuk ka një rrjet funksional hekurudhor për pasagjerë dhe lëvizja ndërqytetase mbështetet pothuajse tërësisht te autobusi.

Megjithatë, kjo varësi e lartë nga transporti rrugor nuk përkthehet domosdoshmërisht në cilësi më të mirë shërbimi, pasi një pjesë e konsiderueshme e flotës është e vjetëruar dhe me standarde të ulëta mjedisore, raporton Monitor.al

Kur vjen puna te rinovimi i flotës, Shqipëria mbetet nën mesataren e Bashkimit Europian, duke e bërë modernizimin e autobusëve një nevojë të domosdoshme.

Sipas Eurostat nga 8 886 autobusë urbanë, autobusë ndërqytetas dhe elektrikë gjithsej në vitin 2024, vetëm 432 janë mjete të reja, që përfaqësojnë rreth 4.9% të flotës, nën mesataren e BE-së prej 5.1%.

Në vitin 2024, në Bashkimin Europian kishte 737 142 autobusë urbanë dhe autobusë ndërqytetas (përfshirë autobusët elektrikë, minibusë dhe autobusë të vegjël), ose 1.6 mjete për 1 000 banorë. Kjo shkallë motorizimi ka mbetur e qëndrueshme gjatë 10 viteve të fundit, ndërsa numri i automjeteve për pasagjerë për 1 000 banorë është rritur ndjeshëm në të njëjtën periudhë, nga 506 në vitin 2014 në 578 në vitin 2024.

Numri më i lartë i autobusëve urbanë dhe ndërqytetas për 1 000 banorë u regjistrua në Maltë (4.6), e ndjekur nga Luksemburgu (4.0) dhe Estonia (3.7). Normat më të ulëta u shënuan në Holandë (0.5), Gjermani (1.0) dhe Austri (1.2).

Mesatarisht, 5.1% e flotës së autobusëve urbanë dhe autobusëve ndërqytetas në BE u rinovua në vitin 2024. Norma e rinovimit përfaqëson raportin e mjeteve të regjistruara për herë të parë ndaj totalit të flotës, duke përjashtuar automjetet e përdorura.

Në Luksemburg, u rinovua 11.6% e flotës, 9.6% në Holandë dhe 9.5% në Austri. Në të kundërt, vetëm 0.7% e flotës u rinovua në Bullgari, 2.4% në Poloni dhe 2.5% në Hungari.

Përpjekjet për përmirësimin e cilësisë së ajrit, veçanërisht në zonat urbane, kanë rritur peshën e autobusëve urbanë dhe autobusëve ndërqytetas me emetime zero në regjistrimet e reja. Në nivel të Bashkimit Europian, në vitin 2024, kjo peshë ishte më e lartë se ajo e automjeteve të reja për pasagjerë (17.8% kundrejt 13.5%), duke përfaqësuar 6 746 autobusë me emetime zero të regjistruar për herë të parë./Monitor

Poll