
Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani ka folur sonte në emisionin ‘’Trialog’’ mbi drejtimin e këtij institucioni prej 3 vitesh dhe përballjen me akuza e përbaltje nga politika. Ai ritheksoi edhe njëherë se nuk ka drejtësi selektive dhe as të paprekshëm në vend.
Duke u përmbajtur në deklaratën që bëri para deputetëve në Kuvend se as kryeministri nuk është i paprekshëm, Dumani tha se mjafton të ketë prova dhe kushdo zyrtar nga të gjitha kahet politike, do të përballet me drejtësinë.
"Pavarësisht nëse është funksion politik, publik apo fuqisë financiare që mbart. Për prokurorët e SPAK është e rëndësishme që ata të ndërtojnë hetime të suksesshme ndaj subjekteve që kanë në ndjekje. Besoj se këto vite kanë treguar pikërisht këtë, që SPAK është i aftë të ushtrojë ndjekjen penale ndaj çdo subjekti. S'ka të paprekshëm, s'ka drejtësi selektive. Nuk mund ta konsideroj si sukses sepse për ta konsideruar sukses të plotë veprimtarinë e SPAK për 6 vite, duhet të presim edhe vendimet e gjykatave, vendimet e formës së prerë, të gjykojmë më ftohtë dhe të jemi realistë në vlerësime.
Vendimet e formës së prerë kanë filluar të vijnë. Kemi zyrtarë të lartë, të nivelit shumë të lartë, të mesëm, të nivelit të ulët, që janë deklaruar fajtorë me vendime të formës së prerë të gjykatave. Periudha 3-vjeçare në drejtimin e SPAK ka koinciduar me një rritje të numrit të hetimeve për zyrtarë të lartë, organizata e grupe kriminale. Jemi përpjekur të kryejmë hetime shterruese, të grumbullojmë prova, të ngremë akuza me shpresa që të kemi dhe vendim fajësie të suksesshëm si dhe të respektojmë të drejtat e të pandehurit në procesin penal. Nuk i ndajmë çështjet sipas përkatësisë politike, as sipas funksioneve publike. Prova është e rëndësishme për ne. Prova është e rëndësishme dhe s'ka rëndësi emri."-tha Dumani. Versus.al
