
Një letër e hapur e gazetarit, Osman Stafa drejtuar ministres së Shëndetësisë, Albana Koçiu ka vënë gishtin mbi gjendjen alarmante që po kalon Spitali Onkologjik.
Sipas letrës, aparatura e brakiterapisë, thelbësore për trajtimin e kancerit gjinekologjik, qëndron e prishur prej ditësh, jo si pasojë e ndonjë fatkeqësie natyrore, por nga mungesa e mirëmbajtjes.
“Zonja Ministre, a jeni në dijeni se sa gra që vuajnë nga kanceri presin për një shans që po u mohohet? Brakiterapia nuk është luks, por shpesh vija e fundit mes jetës dhe vdekjes për pacientet”, thuhet në letër.
Gazetari thekson se çdo vonesë, çdo ditë pa trajtim, “është një plagë e re, jo vetëm në trupin e tyre, por edhe në dinjitetin e shtetit që duket se i ka braktisur.”
“Nuk ka vend për justifikime. Jeta e këtyre grave nuk mund të mbahet peng i procedurave, tenderëve, apo mungesës së përgjegjësisë institucionale.”
Në fund, ai i bën thirrje ministres Koçiu të veprojë tani, “jo me fjalë, por me vepra”—sepse, siç thekson, “këto gra nuk janë numra, por nëna, motra, bashkëshorte, që meritojnë të trajtohen me dinjitet, shpresë dhe përkujdesje.”
Reagimi i plotë
Letër e hapur Ministres së Shëndetësisë, znj. Albana Koçiu
Zonja Ministre,
Në Spitalin Onkologjik, çdo ditë që kalon pa brakiterapi është një dënim i heshtur për gra që luftojnë për jetën. Pajisja që duhet të japë trajtimin nuk funksionon. Jo për shkak të ndonjë fatkeqësie natyrore, por sepse nuk është bërë mirëmbajtja e domosdoshme.
A jeni në dijeni, zonja Ministre, se sa gra që vuajnë nga kanceri gjinekologjik presin për një shans që po u mohohet? A jeni në dijeni se brakiterapia nuk është një luks, por shpesh vija e fundit mes jetës dhe vdekjes për pacientet me kancer?
Çdo vonesë, çdo ditë pa trajtim është një plagë e re, jo vetëm në trupin e tyre, por edhe në dinjitetin e një shteti që duket se i ka braktisur. Nuk ka më vend për justifikime. Jeta e një gruaje me kancer nuk mund të jetë peng i procedurave, tenderave, apo mungesës së përgjegjësisë institucionale.
Ju drejtohem publikisht, sepse nuk është çështje teknike, por thellësisht morale. Nuk ka asnjë arsye të vlefshme që një pajisje kyçe për trajtim të jetë jashtë funksionit.
Gratë në Onkologjik nuk janë numra. Janë nëna, motra, bashkëshorte. Janë njerëz që kanë emra dhe që meritojnë të trajtohen me dinjitet, shpresë dhe përkujdesje, jo me harresë apo me braktisje.
Ju bëj thirrje të veproni tani. Jo për fjalë. Por për jetë. Versus.al







