AKTUALITET /

Aksion i SPAK në Durrës, Tiranë dhe Elbasan, lëshohen 15 masa sigurie! Rikthehet sërish në skenë Franc Çopja!

Bëhet fjalë për goditjen e një grupi që trafikonte drogë nga Amerika Latine drejt Europës.

Shkruar nga Versus

Aksion i SPAK në Durrës, Tiranë dhe Elbasan, lëshohen 15

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka zhvilluar sot një aksion në Tiranë, Durrës dhe Elbasan ku ka lëshuar plot 15 masa sigurie për persona të cilët dyshohen si të përfshirë në trafikun e drogës.

Masat e sigurisë janë firmosur nga Gjykata e Posaçme, ndërsa policia e shtetit po kryen kontrolle në tre qytete për të kapur personat e akuzuar si trafikantë droge. Mësohet se aksioni është zhvilluar në kuadër të zbardhjes së përgjimeve të aplikacionit “SkyEcc”.

Mësohet se masat e sigurisë u janë komunikuar 4 personave që akualisht ndodhen në burg, ndërsa tre të tjerë janë arrestuar gjatë aksionit të sotëm. Disa prej emrave të përmendur në urdhër-arrestet e SPAK kanë rekorde të theksuara kriminale. Mes tyre janë edhe Franc Çopja i arrestuar në Belgjikë, kreu i grupit kriminal të Elbasanit dhe Ervis Çela i cili u arrestua një muaj më parë nën akuzën e vrasjes.

Veprimtaria e trafikut të drogës shtrihej nga vendet e Amerikës Latine drejt Evropës. Procedimi është ndarë nga një çështje tjetër e transkripteve në SkyEcc. Prokurorët e çështjes janë kreu i SPAK Altin Dumani dhe Vladimir Mara. Burime nga SPAK bëjnë me dije se bëhet fjalë për një prej operacioneve më të rëndësishme në goditjen e grupeve kriminale.

Në korrik, SPAK goditi grupin e baronëve të drogës të cilët kishin trafikuar mbi 400 milionë euro drogë nga Amerika Latine drejt Europës. Mes personave të arrestuar ishin edhe Klevis Hoxhosmani i njohur edhe për lidhjen e tij me vajzën e ish-ministres Majlinda Bregu dhe Ermir Ndreaj, i përfolur si pronari i lokalit të njohur "Cinco Cavalli", madje dhe nofka e këtij të fundit në "SkyEcc" ishte "Cinco". Versus.al

 

Poll