Fundjava e parë me temperatura të larta ka sjellë një rritje të ndjeshme të lëvizjes së qytetarëve në pikën kufitare Morinë–Vërmicë, ku është regjistruar një fluks i konsiderueshëm hyrjesh dhe daljeve nga territori shqiptar.
Sipas të dhënave zyrtare të policisë kufitare, vetëm gjatë 24 orëve të fundit kanë kaluar 27,787 udhëtarë, së bashku me 8,596 automjete dhe 87 autobusë. Kjo rritje vjen si rezultat i nisjes së pushimeve verore dhe interesit në rritje për destinacionet turistike shqiptare, veçanërisht bregdetin.
Shifrat zyrtare të fundit 24 orëve janë:
Hyrje në Shqipëri: 14,976 qytetarë me 4,546 automjete dhe 87 autobusë.
Dalje nga Shqipëria: 12,811 qytetarë me 4,050 automjete.
Autoritetet kanë bërë të ditur se falë marrëveshjes për lëvizjen e lirë, është shmangur krijimi i radhëve të gjata dhe priturave në kufi. Janë vënë në funksion të plotë 8 sportele në hyrje dhe 8 në dalje, duke përshpejtuar ndjeshëm procedurat e kalimit kufitar.
Përveç përballimit të fluksit të udhëtarëve, kontrollet janë intensifikuar, me qëllim identifikimin e çdo tentative për kalim të paligjshëm apo sjellje të dyshimta. /Versus.al/







