AKTUALITET /

Trafikant shqiptar kapet me 21 kg marihuanë në kufi me Kosovën, kërcënon policët me armë dhe arratiset duke braktisur çantën

Një trafikant droge ka mundur t’i shpëtojë Policisë së Kosovës mbrëmjen e djeshme, duke braktisur një çantë me 21 kilogramë marihuanë. Ngjarja u regjistrua rreth orës 20:30, pranë kufirit Kosovë–Shqipëri, gjatë një patrullimi të forcave policore.

Shkruar nga Versus
Trafikant shqiptar kapet me 21 kg marihuanë në kufi me Kosovën,
Çanta e gjetur nga policia e Kosovës

Një trafikant droge ka mundur t’i shpëtojë Policisë së Kosovës mbrëmjen e djeshme, duke braktisur një çantë me 21 kilogramë marihuanë. Ngjarja u regjistrua rreth orës 20:30, pranë kufirit Kosovë–Shqipëri, gjatë një patrullimi të forcave policore.

Sipas njoftimit zyrtar, trafikanti, ende i paidentifikuar, mbante në dorë një çantë të zezë dhe ishte i armatosur. Në momentin që ka vërejtur efektivët, ai u ka drejtuar armën, duke rrezikuar jetën e tyre. Pas kësaj, braktisi çantën e mbushur me lëndë narkotike dhe u largua me shpejtësi drejt zonës malore në territorin shqiptar.

Policia ka kontrolluar çantën dhe ka konstatuar se brenda saj kishte rreth 21 kilogramë marihuanë. Njësia e Antidrogës ka bërë matjet, ndërsa për rastin është informuar prokurori kompetent, i cili ka urdhëruar nisjen e procedimeve hetimore. Dosja tashmë po ndiqet nga Departamenti për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve në Prizren.

Njoftimi i Policisë së Kosovës:

Policia e Kosovës, respektivisht njësia hetimore nga Departamenti i Kufirit me datën 20.08.2025, rreth orës 20:30 gjatë veprimeve hetimore në zonën kufitare Kosovë-Shqipëri përgjatë vijës së gjelbër, ka hasur në një person të dyshuar i cili ishte duke e bartur një çantë dhe ishte i armatosur. I njëjti në momentin që ka vërejtur zyrtarët policorë ka drejtuar armën e zjarrit në drejtim të zyrtarëve policorë, duke paraqitur rrezik të drejtpërdrejtë ndaj tyre. Zyrtarët policorë kanë tentuar që ta ndalojnë të dyshuarin duke u prezantuar, mirëpo i njëjti ka hedhur çantën dhe ka arritur që të dalë në zonën malore në drejtim të Shqipërisë.

Lidhur me rastin është kontrolluar çanta ku është vërejtur sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit marihuanë, e cila pas matjes nga Njësia e Antidrogës ka rezultuar rreth 21 kilogramë (marihuanë). Për veprimet e ndërmarra lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, me udhëzim të të cilit është iniciuar rasti i cili mbetet të trajtohet nga DHTN – Prizren”, njofton Policia e Kosovës./Versus.al

Poll