Ka përfunduar në tragjedi me një nënë të vdekur dhe dy fëmijë të plagosur ngjarja e rëndë dhe tronditëse është regjistruar mesditën e sotme në qytetin e Maliqit, ku një banesë është përfshirë nga flakë të fuqishme.
Sipas informacioneve paraprake, nëna dhe dy fëmijët e saj të mitur kanë pësuar djegie të rënda trupore si pasojë e zjarrit që ka përfshirë banesën në mënyrë të papritur dhe me përmasa alarmante. Të tre janë transportuar fillimisht me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Korçës, për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, por gruaja fatkeqësisht nuk ja ka dalë.
Skena në vendngjarje ka qenë dramatike – flakë të mëdha, tym i dendur dhe britma për ndihmë që kanë alarmuar banorët e lagjes. Shërbimet e zjarrfikëses dhe forcat e policisë shkuan në terren, për të vënë situatën nën kontroll dhe për të shmangur përhapjen e mëtejshme të zjarrit.
Shkaqet e zjarrit mbeten të panjohura. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa një ekip hetimor ndodhet në vend për të mbledhur provat e para.







