
Deklarata e Gjovalin Shkambit, i cili tha se “Ai gjyqtar që dënon nipin tim do të përballet me të njëjtën gjë, do të përballet me plumba, ka të njëjtin shpërblim”, çoi në arrestimin e menjëhershëm të tij.
Shkambi jo vetëm që mbrojti nipin e tij, Elvis Shkambi, i cili qëlloi për vdekje gjyqtarin Astrit Kalaja, por kërcënoi hapur edhe gjyqtarët e tjerë që do të përfshiheshin në çështjen e nipit të tij.
Policia e Shkodrës ka bërë një njoftim zyrtar, duke konfirmuar arrestimin e 49-vjeçarit për veprat penale “Kanosja e gjyqtarit” dhe “Kanosja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste.”
View this post on Instagram
Njoftimi i policisë:
Shkodër/ Dha deklarata kanosëse, në media, kundrejt përfaqësuesve të sistemit gjyqësor, vihet në pranga 49-vjeçari.
Menjëherë pas deklaratave kanosëse të bëra në media nga shtetasi Gj. Sh., 49 vjeç, Sektori i Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me shërbimet e Njësisë Rajonale të Antiterrorit Shkodër dhe me mbështetjen e shërbimeve të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Shkodër, kapën dhe shoqëruan në Komisariat, 49-vjeçarin.
Në vijim të veprimeve procedurale, të drejtuara nga Prokuroria e Shkodrës, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Gj. Sh., 49 vjeç, banues në Shkodër.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kanosja e gjyqtarit” dhe “Kanosja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste.”/Versus.al







