
Tre të shumëkërkuarit, Ervis Daka, Aldo Xhiko, Maksim Koçi, të cilët u arrestuan në Dubai, priten të ekstradohen sot në Shqipëri.
Sipas njoftimit të policisë për orën e mbërritjes së tyre do të ketë njoftim tjetër.
Ata akuzohen si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal të drejtuar nga z. Talo Çela (për fatin e të cilit tash për tash nuk dihet asgjë).
Talo Çela kryeson listën e personave më të kërkuar në Shqipëri dhe jo vetëm.
Ai akuzohet nga SPAK për grabitjen e 4.6 milionë Eurove në pistën e aeroportit të Rinasit në Prill të 2019-ës.
Krahas grabitjes, 54-vjeçari nga Elbasani akuzohet dhe si organizator i disa vrasjeve të regjistruara në qytetin e Durrësit dhe të Elbasanit. Ndër to, veçohet ekzekutimi i vëllezërve Haxhia.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i bashkëpunimit të pandërprerë me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, pritet që gjatë ditës së sotme, të finalizohen procedurat për ekstradimin nga Dubai, në Shqipëri, të shtetasve të shumëkërkuar, pjesëtarë të organizatave kriminale:
Aldo Xhiko alias A. C. alias E. C., i akuzuar nga GjKKO-ja, se në kuadër të organizatës kriminale, ka përkrahur një shtetas të shumëkërkuar;
Ervis Daka, i akuzuar nga GjKKO-ja, si pjesëtar i një organizate kriminale që ka planifikuar vrasje dhe si përkrahës i një shtetasi të shumëkërkuar;
Maksim Koçi, i akuzuar nga GjKKO-ja, për vrasje dhe sigurim të mjeteve për të kryer vrasje, të kryera në kuadër të organizatës kriminale, si dhe si përkrahës i një shtetasi të shumëkërkuar.
Në lidhje me orën e mbërritjes, do të ketë një njoftim tjetër./Versus.al







