Ka përfunduar seanca gjyqësore për vrasjen e 20-vjeçarit Grei Bihuci, ngjarje e ndodhur më 11 mars 2024, në qendër të qytetit të Fierit.
Vendimi u shpall mesditën e sotme në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit Fier, nën masa të rrepta sigurie.
Gjatë seancës, prokurori Petrit Vukaj kërkoi dënimin e Florian Mukës me 25 vite burg, dhe të të miturit me 12 vite, për akuzën e vrasjes me paramendim në bashkëpunim (neni 78/1).
Muka pranoi krimin, por deklaroi se kishte vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes. Edhe i mituri pranoi praninë në ngjarje, por mohoi çdo përfshirje në vrasje.
Në përfundim të procesit, gjykata vendosi:
12 vite burg për Florian Mukën, duke e riformuluar veprën penale nga vrasje me paramendim në vrasje në kushtet e kapërcimit të mbrojtjes së nevojshme (neni 76), për shkak të pranimit të fajit dhe pendesës.
1 vit burg për të miturin K.M. për moskallëzim krimi, dënim që konsiderohet i kryer gjatë paraburgimit, ndaj ai është lënë i lirë.
Të dy të pandehurit shprehën pendesë dhe kërkuan falje para trupit gjykues./Versus.al







