
Elbasan- Prokuroria ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim Sokol Mjacajn dhe 12 policë të burgut të Peqinit për vrasjen e ndodhur në këtë institucion të sigurisë së lartë më 15 dhjetor të 2023-it.
Sipas prokurorisë, Mjacaj i cili është i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çekë, vrau Arben Lleshin dhe plagosi një tjetër. Hetimet zbuluan se arma e zjarrit e përdorur prej autorit ishte futur në burg disa javë përpara ngjarjes, dhe ende nuk është gjetur personi që e ka bërë të mundur.
Mjacaj deklaroi që kishte një konflikt me Lleshin, por prokuroria e konsideron këtë vetëm një alibi, duke e parë si një vrasje me pagesë.
Hetimet gjithashtu përfshinë dyshime se disa zyrtarë të burgut mund të kenë bashkëpunuar me Mjacajn për të futur armën në burg dhe për të mbajtur informacion të fshehtë për ngjarjen.
12 zyrtarët e burgut, përfshirë drejtorin Kamber Hoxha dhe disa shefa të regjimeve të ndryshme, akuzohen për “shpërdorim të detyrës” dhe për mosrealizimin e detyrës së sigurisë, që mund të kenë kontribuar në mundësimin e kryerjes së krimit brenda burgut të Peqinit.
Gjatë krimit atë mesditë i dënuari, Arben Lleshi, humbi jetën, ndërsa një tjetër, Indrit Shaqja, mbeti i plagosur. Atëherë u arrestuan, autori i dyshuar i krimit Sokol.
Mjacaj si edhe drejtori i burgut të Peqinit, Kamber Hoxha, i emëruar në këtë detyrë në Nëntor të vitit 2023 si edhe Qani Muça, shefi i regjimit të godinës “41 biss”, Nikolin Gjonpalaj, ish-shefi i policisë së burgut të Peqinit, Vilson Shima, shef i regjimit të godinës B, Arben Dulellari, Specialist informacioni, salla operative IEVP Peqin, Fatos Pire, polic shërbimi, përgjegjës sektori kati i parë, godina B, Ilir Balla, punonjës shërbimi godina B, Florenc Mile, polic shërbimi tek godina B, Genci Muça, shërbim në kollonë, godina B, Indrit Dubali, punonjës roli bazë, godina B , Klement Haka, punonjës i rolit bazë, godina B dhe Erjon Çela, polic shërbimi, godina B në IEDP, Peqin.
Mjacaj nuk pranoi të bashkëpunonte me drejtësinë, ndërsa trupi i pajetë i Lleshit nuk u mor nga familjarët derisa në shkurt të këtij viti u vendos tërheqja e tij nga morgu për ta varrosur. Versus.al








