AKTUALITET /

Vrau studenten shqiptare, filipinezi tregon krisjen e lidhjes me Ilaria Sulën: Më kërkoi të shihte notat

Sipas tij, kjo kërkesë e Ilarias i kishte shkaktuar ankth dhe më pas marrëdhënia mes tyre ishte përkeqësuar.

Shkruar nga Versus
Vrau studenten shqiptare, filipinezi tregon krisjen e lidhjes me Ilaria
Viktima Ilaria Sula nga Lushnja dhe autori Marc Samson

Mijëra persona morën pjesë dje në funeralin e studentes shqiptare Ilaria Sula e cila u vra me thikë nga ish-i dashuri i saj filipinez, Marc Samson.

Ky i fundit gjatë marrjes në pyetje ka rrëfyer për nisjen e lidhjes së tyre dhe ndryshimin e rrethanave të ngjarjeve të cilat agravuan deri në kryerjen e krimit të rëndë prej tij. E gjithë marrëdhënia mes tij dhe Ilarias ndryshoi kur kjo e fundit i kishte kërkuar listën e notave.

“Ne jemi takuar në vitin 2023 dhe më 30 prill të atij viti konfirmuam lidhjen tonë. Ne kishim një marrëdhënie normale si çdo çift me ulje-ngritjet tona. Situata ndryshoi kur Ilaria më kërkoi të shihte notat e provimit të universitetit rreth dy-tre muaj më parë. Ky ka qenë gjithmonë një problem i madh për mua, një traumë që më ka ndjekur që nga shkolla fillore. Gjithmonë kam pasur ankth për sa i përket performancës time përpara prindërve. Ilaria më dha ultimatum se nëse nuk ia tregoja, atëherë do më linte”, ka thënë Samson në dëshminë e tij.

Në fund të janarit, ata vendosën të ndërprisnin dhe të bënin një pauzë në marrëdhënien e tyre, gjë që nuk ndodhi pasi të rinjtë vijonin të takoheshin.

“Ilaria ishte e paqëndrueshme. Herë më trajtonte si të dashur dhe herë si një mik të thjeshtë”- tregon autori i vrasjes.

Ai më pas rrëfeu se nuk e pranonte dot ndarjen dhe pse të gjithë miqtë e tij i kishin thënë që të hiqte dorë.

Takimet mes tyre vazhduan edhe për 10 ditë të tjera edhe pse ajo dukej më e ftohtë dhe më e shkëputur dhe donte të dilte me miqtë e saj edhe vetëm. Situata mbeti e paqëndrueshme, ku Ilaria, sipas vrasësit, herë e trajtonte me përzemërsi si të dashur dhe herë tregonte ftohtësi ndaj tij.

Samson akuzohet për vrasjen në gjendje të rënduar dhe për fshehjen e kufomës. Edhe nëna e tij po hetohet për bashkëpunim në ngjarjen e rëndë. Ilaria Sula u zhduk më 25 mars të këtij viti. Kufoma e saj u gjet brenda një valixhe të braktisur në një zonë pyjore vetëm 8 ditë më vonë. Gjatë kësaj kohe, vrasësi kishte përdorur telefonin e studentes shqiptare dhe kishte komunikuar me shoqet e familjarët e saj duke i bërë të mendonin se ajo ishte mirë. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: