AKTUALITET /

Vrasja e ‘ushtarit’ të Martinajt, SPAK kërkon dënimin me 157 vite burg për klanin “Duka”

Për ngjarjen, i vetmi i dënuar deri tani është Bledi Teta me 25 vite burg për informimin e autorëve lidhur me lëvizjet e viktimës Santiago Malko. Më 25 korrik bëhet mbrojtja e 7 të pandehurve dhe më pas jepet vendimi.

Shkruar nga Versus
Vrasja e ‘ushtarit’ të Martinajt, SPAK kërkon dënimin
Viktima Santiago Malko dhe Leonard Duka (porositësi)

Prokuroria e Posaçme ka dhënë pretencën për të pandehurit lidhur me vrasjen e ish-policit Santiago Malko në gusht të 2019-ës. Të akuzuar për këtë ngjarje janë anëtarët e klanit Duka në Elbasan të cilët kishin konflikte me të shumëkërkuarin Ervis Martinajn, biznesmenin e zhdukur prej gushtit të vitit 2022.

Pretenca e SPAK për të pandehurit:

25 vite burg për Erlis Dukën

32 vite burg per Fatmir Hysenin

23 vite burg per Oltion Logën

32 vite burg për Leonard Dukën

22 vite burg për Aleksandër Manxhakun

23 vite burg për Dritan Agajn

Më 25 korrik do të bëhet mbrojtja dhe më pas gjykata e posaçme do të shpallë dënimin për dosjen. I vetmi i dënuar deri më tani është Bledi Teta me 25 vite burg për dhënien e informacioneve ndaj autorëve lidhur me lëvizjet e shënjestrës. Në dëshminë e tij, Teta tha se kishte patur marrëdhënie biznesi lojërash fati me Dukën dhe se Ervis Martinaj e kishte kërcënuar se do ta muroste nëse nuk do i tregonte vendndodhjen e vëllezërve Duka. 

Nga ana tjetër, bisedat e zbardhura në SkyEcc mes Martinajt dhe Dukës tregojnë se këta të fundit ishin në konflikt me njëri-tjetrin pasi dyshohet se viktima Santiago Malko kishte rrëmbyer dhe dhunuar Muhamet Dukën, babain e dy vëllezërve. Këto prova u mohuan nga Leonard Duka i cili tha se nuk ka patur konflikte të tilla me Martinajn. Ndërsa vetë Muhamet Duka pretendoi se nuk ishte rrëmbyer apo dhunuar nga askush. Versus.al

Poll