Inspektoriati për Mbrojtjen e Territorit në Tiranë ka bërë me dije se deri në këtë fazë të aksionit për lirimin e hapësirave publike, janë liruar plot 17 334 metër katrorë sipërfaqe e zaptuar.
Në postimin e bërë ku jepen statistika, mësohet se gjatë këtyre ditëve të aksionit plot 1428 subjekte në Tiranë janë njoftuar për të liruar hapësirat, ndërsa 352 çmontime vullnetare janë bërë deri më tani.
“Vijon lirimi i hapësirave publike në akset kryesore, për të vijuar më tej, në çdo cep të qytetit”- thuhet në njoftim.
Ky aksion për lirimin e hapësirave publike nisi menjëherë pas zgjedhjeve të 11 majit pasi kryeministri Edi Rama dha urdhër që të gjithë pronarët e lokaleve apo administratorët e pallateve që kishin abuzuar me lejet e ndërtimit apo shfrytëzimit të pronës, të merrnin masa për të hequr çdo shtesë të paligjshme që pengon lëvizjen e qytetarëve. Pas këtij aksioni, kreu i qeverisë urdhëroi dorëheqjen e të gjithë drejtorëve dhe administratorëve të njësive bashkiake në të gjithë bashkitë e vendit me qëllim rifreskimin e administratës vendore. Versus.al







