AKTUALITET /

Zhduket pa lënë gjurmë 35 vjeçarja shqiptare në Trento: Familja dhe autoritetet në kërkim të Floresha Prengut

Autoritetet organizuan operacione të gjera kërkimi në zonën përreth lumit Adige, ku morën pjesë dhjetëra zjarrfikës, patrulla lumi dhe helikopterë që monitoronin territorin nga ajri. Megjithatë, deri tani nuk është gjetur asnjë gjurmë e saj.

Shkruar nga Versus
Zhduket pa lënë gjurmë 35 vjeçarja shqiptare në
Floresha Prengu

Prej një jave, Floresha Prengu, një nënë shqiptare 35-vjeçare, është zhdukur mistershëm në qytetin italian të Trentos. Ajo doli nga banesa e saj më 22 tetor në mëngjes për të shkuar në punë, por nuk u kthye më, duke lënë të shqetësuar bashkëshortin dhe dy vajzat e saj të vogla. Sipas mediave italiane, ajo pritej të kthehej në orën 17:00, por nuk u shfaq kurrë.

Bashkëshorti i saj njoftoi menjëherë policinë, duke ngritur alarmin për zhdukjen. Autoritetet organizuan operacione të gjera kërkimi në zonën përreth lumit Adige, ku morën pjesë dhjetëra zjarrfikës, patrulla lumi dhe helikopterë që monitoronin territorin nga ajri. Megjithatë, deri tani nuk është gjetur asnjë gjurmë e saj.

Familjarët kanë bërë një thirrje publike për ndihmë:

“Ju lutemi, ndihmoni për të gjetur Floresha Prengun. Ajo është nënë e dy vajzave të vogla. Kushdo që ka informacion, të kontaktojë menjëherë forcat e rendit ose të telefonojë në numrin 112.”
Floresha jetonte në Trento prej tre vitesh dhe punonte si pastruese në pallate banimi. Të afërmit tregojnë se ajo ishte shumë e lidhur me vajzat e saj dhe kishte kaluar një periudhë të vështirë pas vdekjes së babait, por nuk dihet nëse kjo lidhet me zhdukjen.

Bashkëshorti, i tronditur dhe i dëshpëruar, ka paralajmëruar se mund të kontaktojë edhe programin televiziv italian “Chi l’ha visto?” për të kërkuar ndihmë publike. Karabinierët e Trentos kanë aktivizuar planin provincial të kërkimit, ndërsa njoftimi për zhdukjen është shpërndarë në të gjitha prefekturat e Italisë, për shkak të mundësisë që ajo të jetë larguar nga rajoni.

Ngjarja ka tronditur edhe komunitetin shqiptar në Trento, i cili është mobilizuar për t’i ofruar ndihmë dhe mbështetje familjes./Versus.al

Poll