AKTUALITET /

Zhvatën rreth 400 mijë euro nga llogaritë e qytetarëve, arrestohet drejtori i "UBA Bank" dhe zëvendësi i tij

Ndërkohë, 5 punonjës të tjerë janë nën arrest shtëpie dhe 4 të tjerë të pezulluar.

Shkruar nga Versus

Zhvatën rreth 400 mijë euro nga llogaritë e qytetarëve,

Tiranë- Agjentët e krimit ekonomik të policisë së kryeqytetit, kanë arrestuar 2 punonjës të një "UBA Bank", ndërsa 5 punonjës të tjerë u lanë në arrest shtëpie dhe 4 u pezulluan nga detyra. Konkretisht janë arrestuar drejtori Albin Keta dhe zëvendësi i tij, Gilbert Hoxha. 

Operacioni u zhvillua pas denoncimeve të vazhdueshme të disa qytetarëve të cilët ishin klientë në këtë bankë dhe kishin zbuluar se nuk kishin paratë e tyre në llogari. Dyshohet se punonjësit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë zhvatur paratë e klientëve.

Masat e sigurisë:

-masa “Arrest në burg”, për shtetasit A. K., 33 vjeç dhe G. H., 38 vjeç, banues në Tiranë, përkatësisht drejtor dhe zëvendësdrejtor i një filiali banke të nivelit të dytë;

-masa “Arrest në shtëpi”, për shtetaset G. B., 42 vjeçe, D. D., 24 vjeçe, O. K., 24 vjeçe, R. S., 27 vjeçe dhe Zh. B., 26 vjeçe, banuese në Tiranë, të gjitha punonjëse shërbimi në këtë bankë;

-masa “Pezullim i ushtrimit të detyrës a shërbimit publik”, për shtetasit E. Q., 47 vjeçe, I. D., 25 vjeçe, E. K., 38 vjeçe dhe B. M., 25 vjeç (në kërkim), banues në Tiranë, të gjithë punonjës shërbimi në të njëjtën bankë. 

Sipas informacioneve paraprake dëmi përllogaritet rreth 400 mijë euro. Hetimet kanë zbuluar se këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë ndërhyrë në sistemet bankare të 2 klientëve në bankë, për të vjedhur nga llogaritë e tyre, 309 740 euro dhe 92 000 dollarë në total.

Ndërkohë vijojnë hetimet, pasi dyshohet se numri i klientëve të vjedhur është edhe më i madh. Skema e përdorur është përdorimi i mandateve të tërheqjeve false. Versus.al

Poll