BOTA /

Kosova pa institucione të reja, dështon për herë të 33-të konstituimi i Kuvendit

Shkruar nga Versus

Kosova pa institucione të reja, dështon për herë të

Deputetët kanë dështuar sërish që të konstituojnë përbërjen e re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Në tentimin e 33-të radhazi, sikurse edhe në seancat paraprake, deputetët refuzuan që të votonin për një komision që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për zgjedhjen e kreut të ri të Kuvendit.

Ata do të mblidhen sërish pas 48 orësh, përkatësisht të enjten e 19 qershorit.

Kjo është hera e 25-të që Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe, nuk propozojnë nga një anëtar për formim të komisionit për votim të fshehtë për kandidaten e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit, meqë Haxhiu nuk ka arritur t’i marrë 61 votat e domosdoshme në votim të hapur.

Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, i takon që të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit. Ky subjekt këmbëngul vazhdimisht që Haxhiu është personi i duhur për të udhëhequr organin ligjvënës, ndonëse për PDK-në dhe AAK-në ajo konsiderohet figurë përçarëse.

Çështja e ndryshimit të mënyrës së votimit – nga të hapur në të fshehtë – është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga parti që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.

Sipas tyre, propozimet e LVV-së nuk janë kushtetuese dhe kanë kërkuar nga Gjykata të vendosë “një masë të përkohshme për ndalimin e mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe të marrë një vendim”.

Teksa vendi është pa institucione të reja, mbi katër pas mbajtjes së zgjedhjeve, javën e kaluar kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, shpalosi një plan me 15 pika për një qeveri të unitetit, duke i ftuar të gjitha partitë që ta formojnë një ekzekutiv të tillë, në mënyrë që vendi të dalë nga kriza.

Ky propozim është kundërshtuar nga LVV-ja, ndërkaq PDK-ja ka deklaruar se preferon formimin e një qeverie nga partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë. Një koalicion i tillë qeverisës preferohet edhe nga AAK-ja.

Seanca konstituive ka nisur më 15 prill. Por, që Kuvendi të konsiderohet i themeluar, deputetët duhet që të zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët – për dy votimet kërkohen nga 61 vota.

Vetëm pasi Kuvendi të jetë konstituar, atëherë hapet rruga për formimin e ekzekutivit të ri. REL

Tags:

kosove

Poll