
Një stiliste irlandeze, e njohur për jetën luksoze mes jahtesh, avionësh privatë dhe shoqërisë elitare të Nju Jorkut, është gjetur e vdekur në rrethana ende të paqarta në një jaht të ankoruar në Hamptons.
Martha Nolan-O'Slatarra, 33 vjeçe, u gjet pa ndjenja në bord të jahtit “Ripple” pranë Montauk Yacht Club në mesnatën e së martës. Të pranishmit tentuan t’i jepnin ndihmën e parë, por policia e East Hampton e shpalli të vdekur në vendngjarje. Shkaku i vdekjes do të përcaktohet nga zyra e Ekzaminuesit Mjekësor të Qarkut Suffolk.
E lindur në Carlow të Irlandës, Nolan-O'Slatarra ishte themeluese e markës së modës East x East dhe kishte krijuar një imazh të vetes si sipërmarrëse me një stil jete glamuroz e të shfrenuar. Videot në rrjetet e saj sociale, veçanërisht në TikTok, tregojnë udhëtime me avionë privatë dhe helikopterë, festa me miq në makina luksoze dhe destinacione të shtrenjta si Mallorca dhe Montauk.
Pavarësisht imazhit të shkëlqyer, e përditshmja e saj dukej më modeste: ajo jetonte në një studio të vogël në Yorkville, një zonë më pak luksoze e Upper East Side, me një qira mujore rreth $1,900.
E diplomuar për biznes dhe marketing digjital në University College Dublin, ajo kishte ardhur në Nju Jork në vitin 2015, fillimisht për një periudhë të shkurtër, por qëndrimi i saj u zgjat falë punës në një kompani fintech dhe më vonë në projekte të saj si “Brand Growth Consultants”, “Duper” dhe marka e rrobave të plazhit “East x East”.
Vetëm pak javë më parë, ajo kishte festuar hapjen e një dyqani të përkohshëm të markës së saj në Montauk. “Qëllime të realizuara”, kishte shkruar në një video në TikTok më 1 korrik.
Sipas dëshmitarëve, Ripple njihej si një “festa e jahteve”, dhe në momentin që trupi i saj u gjet, dëgjoheshin britma.
I dashuri i saj që besohet se është pronari i jahtit është parë duke vrapuar lakuriq e duke bërtitur “është e dashura ime”, ndërsa kërkonte ndihmë. Dëshmitarë thonë se ai shpesh është parë në gjendje të dehur.
Ngjarja ka tronditur komunitetin e pasur të Montauk, ku krimet e dhunshme janë të rralla. Ndërsa hetimet vijojnë, zona është rrethuar nga policia dhe po merren në pyetje të pranishmit.
Ndërkohë, për pushuesit e pasur në resortin luksoz – me çmime që shkojnë deri në $1,500 për natë – dita ka vazhduar pa shumë trazim, pavarësisht faktit që marina ku pushonin është kthyer në skenë krimi./Versus.al







