Kremlini ka mohuar lajmet e publikuara nga “Uashington Post” lidhur me një telefonatë të Putin me Trump, dy ditë pasi ky i fundit u rizgjodh president i SHBA-ve. Sipas medias amerikane, Trump e kishte paralajmëruar Putinin gjatë telefonatës duke i bërë thirrje që të mos përshkallëzonte luftën në Ukrainë.
Një zëdhënës i Kremlinit tha se raportet ishin "fantazi e pastër", ndërsa ekipi i Trump tha për BBC se nuk do të komentonte "thirrjet private" të presidentit të zgjedhur.
Drejtori i komunikimit i Trump, Steven Cheung tha për BBC: "Ne nuk komentojmë thirrjet private midis Presidentit Trump dhe liderëve të tjerë botërorë".
Por ai tha se udhëheqësit kishin filluar procesin e kontaktimit me presidentin e zgjedhur. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov mohoi se një bisedë e tillë kishte ndodhur.
"Kjo është krejtësisht e pavërtetë, është trillim i pastër. Kjo është, ky është thjesht informacion i rremë. Nuk ka pasur asnjë bisedë," tha Peskov.
Trump ka premtuar t'i japë fund luftës së gjatë gati trevjeçare në Ukrainë, por ende nuk ka treguar se si synon ta bëjë këtë. Zelensky ka paralajmëruar më parë kundër lëshimit të territoreve ndaj Rusisë dhe ka thënë se pa ndihmën e SHBA-së, Ukraina do ta humbiste luftën. Versus.al








