Çfarë do të gjeni në brendësi
*Më shunë se 240 milionë amerikanë me të drejte vote do të zgjedhin sot presidentin e SHBA, për katër vitet e ardhshme. Para ditës së zgjedhje janë rreth 75 milionë amerikanë që kanë votuar. *Këto zgjedhje kanë qenë më të debatueshmet dhe me përplasjet më të ashpra. Në garë për republikanët është Donald Trump, ndërsa demokratët ndryshuan kandidaturën në mes të fushatës zgjedhore, ku Joe Biden u dorëhoq dhe vendin e tij e zuri, Kamala Harris. *Gjatë kësaj dite zgjedhore në SHBA duket se ka pasur më shumë incidente se në çdo palë zgjedhje të mëhershme në Amerikën, pasi ka pasur kërcënime të shumta dhe arrestime. *Një person u arrestua këtë të martë në Qendrën e Vizitorëve të Kapitolit të SHBA-ve. Ai kishte me vete një armë zjarri dhe një pishtar sipas asaj që tha policia. * Agjentët e FBI-së kanë arrestuar dy persona në Miçigan lidhur me kërcënime të bëra në lidhje me zgjedhjet në SHBA, raportojnë mediat. “Gjithçka do të ishte më mirë nëse Trump do të vdiste”, është shprehur njëri prej të ndaluarve.
Anketimi/ SHBA, shumica e votuesve thonë se demokracia amerikane është në rrezik
Gati tre të katërtat e votuesve në zgjedhjet presidenciale të së martës thonë se demokracia amerikane është nën kërcënim, sipas anketimeve paraprake në nivel kombëtar nga firma “Edison Research”, duke reflektuar ankthin e thellë me të cilin përballet vendi pas një fushate të nxehtë elektorale ndërmjet kandidates demokrate Kamala Harris dhe kandidatit republikan Donald Trump.
Demokracia dhe ekonomia renditen deri tani si çështjet më të rëndësishme për votuesit, me rreth një të tretën e të anketuarve që përmendin secilën, të ndjekur nga aborti dhe emigracioni me 14% dhe 11%, treguan të dhënat. Anketimi tregoi se 73% e votuesve besonin se demokracia ishte në rrezik, kundrejt vetëm 25% që thanë se ishte e sigurt.
Të dhënat nënvizojnë shkallën e polarizimit në një vend, ndasitë e të cilit vetëm u theksuan gjatë një gare të ashpër konkurruese. Ish-Presidenti Trump ka përdorur një retorikë gjithnjë e më të errët dhe apokaliptike përgjatë fushatës, ndërsa ka nxitur frikën e pabazë se sistemit zgjedhor nuk mund t’i besohet. Nënpresidentja Harris u ka kërkuar amerikanëve të bashkohen, duke paralajmëruar se një mandat i dytë i ish-Presidentit Trumpit do të rrezikonte themelet e demokracisë amerikane.
Shifrat përfaqësojnë vetëm një pjesë nga dhjetëra miliona personat që kanë votuar, si përpara ashtu edhe në ditën e zgjedhjeve, dhe rezultatet paraprake mund të ndryshojnë gjatë natës, ndërsa më shumë njerëz janë duke u anketuar.
44% e votuesve u shprehën për ish-Presidentin Trump në mënyrë të favorshme, krahasuar me 46% në anketimet pas votimit në vitin 2020, kur ai humbi përballë Presidentit Joe Biden. Nënpresidentja Harris u perceptua në mënyrë të favorshme nga 48% e të anketuarve, krahasuar me vlerësimin prej 52% për Presidentin Biden në vitin 2020.
Zonja Harris po mbështetej tek një pjesëmarrje e madhe nga gratë votuese, për të kompensuar dobësinë e saj elektorale me burrat. Anketimet treguan se gratë përbënin 53% të elektoratit, përgjithësisht e pandryshuar nga 52% në anketimet e vitit 2020.
Sipas të dhënave, përqindja e votuesve pa arsim të lartë - të cilët kryesisht favorizojnë ish-Presidentin Trump - ishte 57%, pra më pak se në vitin 2020, kur ishin 59%.
Dy rivalët po ecnin drejt një përfundimi të pasigurt të martën pas një fushate intensive, ndërsa miliona votues amerikanë prisnin në radhë të qeta dhe të rregullta, për të zgjedhur ndërmjet dy vizioneve të ndryshme për vendin.
Kjo ishte një garë zgjedhore e nxitur nga ngjarje të paprecedenta – dy atentate ndaj ish-Presidentit Trump, tërheqja e papritur e Presidentit Biden dhe ngritja e shpejtë e Nënpresidentes Harris. Gara mbeti e ngushtë pas miliarda dollarësh shpenzimesh dhe muajsh fushate të furishme.
Ish-Presidenti Trump, i cili ka përhapur shpesh pretendime të pavërtetuara se ai fitoi në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 dhe mbështetësit e të cilit sulmuan Kapitolin e Shteteve të Bashkuara më 6 janar 2021, votoi pranë shtëpisë së tij në Palm Beach, Florida.
“Nëse humbas zgjedhjet, nëse janë zgjedhje të ndershme, do të jem i pari që do ta pranoj”, u tha ish-Presidenti Trump gazetarëve.
Nënpresidentja Harris, e cila kishte dërguar më herët fletëvotimin e saj me postë në shtetin e saj të Kalifornisë, kaloi një pjesë të së martës duke dhënë intervista në radio, për të inkurajuar dëgjuesit që të votonin. Më vonë, ajo duhej t'u drejtohej studentëve të Universitetit Howard, një kolegj historikisht me studentë afrikano-amerikanë në Uashington, ku zonja Harris kishte qenë studente.
"Të kthehem sonte në Universitetin tim të dashur Howard, dhe të jem në gjendje ta njoh këtë ditë për atë që është vërtet, një përmbushje për mua", tha Nënpresidentja Harris në një intervistë në radio.
Rezultatet e anketimeve kombëtare ofrojnë një copëzë të rëndësishme të asaj që mendon popullsia amerikane, por mund të mos përputhen drejtpërdrejt me rezultatin që pritet të vendoset nga shtatë shtetet e fushëbetejës elektorale.
Anketimet pas votimit regjistrojnë variacionet e pjesëmarrjes në grupe të ndryshme demografike, si p.sh. burrat përkundër grave, ose votuesit me arsim të lartë kundrejt votuesve jo të arsimuar, dhe mund të ofrojnë njohuri se si ka ndryshuar pjesëmarrja krahasuar me zgjedhjet e kaluara.
Një avantazh kryesor i anketimeve është se të gjithë personat e anketuar, janë njerëz që kanë votuar në këto zgjedhje.
Anketimet e opinionit përpara zgjedhjeve treguan se kandidatët ishin me rezultat të ngushtë në secilin nga shtatë shtetet që mund të përcaktojnë fituesin: Arizona, Xhorxhia, Miçigani, Nevada, Karolina e Veriut, Pensilvania dhe Wisconsin.
Pavarësisht se kush fiton, historia do të shkruhet.
Zonja Harris, në moshën 60 vjeçare, nënpresidentja e parë, do të bëhej gruaja e parë, afrikano-amerikane dhe aziatike që do të fitonte presidencën. Zoti Trump, në moshën 78 vjeçare, i vetmi president ndaj të cilët u ngritën dy herë akuza për shkarkim, dhe ish-presidenti i parë që u dënua penalisht, do të bëhej gjithashtu presidenti i parë që do të fitonte mandate jo të njëpasnjëshme, në më shumë se një shekull.
Pritet të përcaktohet edhe kontrolli i të dyja dhomave të Kongresit. Republikanët duket se e kanë më të lehtë në garën për Senatin, ku demokratët po mbrojnë disa vende në shtetet me prirje republikane, ndërsa beteja për Dhomën e Përfaqësuesve duket më e vështirë.
Drejt mbylljes së një dite historike në SHBA
Votimi në ditën e zgjedhjeve u zhvillua kryesisht pa probleme në të gjithë vendin të martën me vetëm njoftime sporadike për vonesa për shkak të motit ekstrem, gabime shtypi në fletëvotime dhe probleme teknike.
Shumica e problemeve që u paraqitën deri në mesditë ishin "zhvillime të pritshme rutinë dhe për të cilat ishin marrë masat", tha Cait Conley, këshilltare e lartë e drejtorit të Agjencisë së Sigurisë Kibernetike dhe Infrastrukturës, në një konferencë për shtyp. Ajo tha se agjencia aktualisht nuk po gjurmonte ndonjë incident në nivel kombëtar apo të natyrës domethënëse që mund të ndikonte në sigurinë e zgjedhjeve.
Në shtetin e luhatur Pensilvani, iu dha zgjidhje me shpejtësi njoftimeve të hershme se vëzhguesit republikanë nuk lejoheshin të hynin në disa qendra votimi. Një gjykatës i shtetit të Pensilvanisë urdhëroi që qendrat e votimit të qëndrojnë të hapura për dy orë shtesë në qarkun Cambria, i cili votoi 68% për ish-presidentin Donald Trump në vitin 2020. Ky qark kërkoi zgjatjen e orarit, pasi një mosfunksionim i programit elektronik ndikoi tek makinat e skanimit të fletëvotimeve, megjithëse zyrtarët e qarkut konfirmuan se asnjë votues nuk ishte larguar nga qendrat e votimit dhe tha se të gjitha fletët e votimit do të numërohen.
Një tjetër difekt teknik në bashkinë Champaign, Illinois, si dhe problemet elektronike në Louisville, Kentucky, vonuan gjithashtu votimin, por këto probleme u rregulluan me shpejtësi dhe votimi rifilloi. Në bashkinë Maricopa të Arizonës, një vend votimi u vonua të hapej pasi një punonjës zgjedhor pati harruar të merrte çelësin me vete.
Në Misuri, përmbytjet e bënë të vështirë qasjen tek një prej vendvotimeve në zonën e St. Louisit. Megjithatë, në shtete të ndryshme të prekura nga reshjet, votuesit u mblodhën me entuziazëm nën çadra, ndërsa prisnin në radhë për të hedhur votat e tyre.
“Ne do të jemi si punonjësit e postës: në shi, borë ose ngricë”, tha votuesja Mary Roszkowski pasi hodhi votën e saj në Racine, Wisconsin, ndërsa era i përplaste në fytyrë pikat e shiut.
Në Maine, të paktën tre shkolla të mesme që shërbenin si vendvotime u përballën me njoftime të rreme për të shtëna, por votimi vazhdoi pa ndërprerje pasi policia konfirmoi se telefonatat ishin mashtrime. Në Xhorxhia, Sekretari i Shtetit Brad Raffensperger tha se kishte disa kërcënime të raportuara për bomba pranë qendrave të votimit, por të gjitha u konsideruan jo të besueshme dhe autoritetet po hetonin.
FBI-ja të martën pasdite tha se ishte në dijeni të kërcënimeve të shumta jo të besueshme për bomba pranë vendeve të votimit në disa shtete dhe tha se shumë prej tyre dukej se e kishin origjinën nga adresa të postës elektronike të përdorura nga rusët.
Një aspekt që ndihmoi për mbarëvajtjen e votimit në ditën e zgjedhjeve ishte fakti se dhjetëra miliona amerikanë kishin hedhur paraprakisht me postë votat e tyre. Ndër ta ishin një numër rekord votuesish në Xhorxhia, Karolinën e Veriut dhe shtete të tjera të fushëbetejës që mund të përcaktojnë fituesin.
Që nga e marta, gjurmimi nga agjencia e lajmeve Associated Press i votimit paraprak në mbarë vendin tregoi se mbi 82 milionë vota ishin hedhur tashmë - pak më shumë se gjysma e numrit të përgjithshëm të votave në zgjedhjet presidenciale katër vite më parë. Kjo është nxitur pjesërisht nga votuesit republikanë, të cilët votuan me postë në një shkallë më të lartë se në zgjedhjet e mëparshme, pas një fushate nga ish-Presidenti Trump dhe Komiteti Kombëtar Republikan për t’iu kundërvënë avantazhit të demokratëve në votimin e hershëm.
Votimi i hershëm dhe me postë vazhdoi pa probleme të mëdha, përveç disa defekteve tipike që priten në çdo zgjedhje. Këtu përfshihen pjesët e Karolinës së Veriut të goditura muajin e kaluar nga Uragani Helene. Zyrtarët e zgjedhjeve shtetërore dhe vendore, duke përfituar nga ndryshimet e bëra nga legjislatura e kontrolluar nga republikanët, bënë një përpjekje të jashtëzakonshme për t’u siguruar që banorët të mund të votonin, ndërsa përballeshin me ndërprerjet e energjisë elektrike, mungesën e ujit dhe rrugët e përmbytura. Kjo duket se vazhdoi të martën, ndërsa Bordi i Zgjedhjeve i Karolinës së Veriut nuk raportoi asnjë problem votimi.
Përveç uraganeve në Karolinën e Veriut dhe në Florida, ndërprerjet më shqetësuese të sezonit zgjedhor deri më tani ishin sulmet me zjarrvënie që dëmtuan fletët e votimit në dy kutitë e mbledhjes së votave pranë kufirit të shteteve Oregon dhe Washington. Autoritetet po bënin kërkime për të gjetur personin përgjegjës.
Mungesa e problemeve të rëndësishme dhe të përhapura nuk e ka ndalur kandidatin republikan Donald Trump dhe Komitetin Kombëtar Republikan, të bëjnë pretendime të shumta për manipulime ose ndërhyrje në zgjedhje gjatë periudhës së votimit të hershëm, një prelud i mundshëm i sfidave ligjore që mund të bëhen pas zgjedhjeve.
Ish-Presidenti Trump dhe republikanët gjithashtu kanë paralajmëruar për mundësinë që demokratët po rekrutojnë në masë jonënshtetas për të votuar, një pretendim që ata e kanë bërë pa prova dhe që bie ndesh me të dhënat, përfshirë edhe nga sekretarët republikanë të shteteve. Hulumtimet kanë treguar vazhdimisht se është i rrallë fenomeni i joshtetasve që regjistrohen për të votuar. Çdo person joshtetas që e bën këtë, përballet me mundësinë e padisë për vepër penale dhe dëbimin nga vendi.
Një rast votimi i një joshtetasi u kap gjatë votimit të hershëm muajin e kaluar dhe rezultoi në akuza penale në Miçigan, pasi një student nga Kina mori pjesë në mënyrë të kundraligjshme në votimin e hershëm.
Këto janë zgjedhjet e para presidenciale që kur Donald Trump-i humbi përballë Joe Biden-it katër vite më parë dhe filloi përpjekjet e ndryshme për të anashkaluar rezultatin dhe për të qëndruar në pushtet. Kjo kulmoi me sulmin e dhunshëm të 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara për të ndalur çertifikimin e rezultateve pasi ish-Presidenti Trump u tha mbështetësve të tij të "luftonin pa u ndalur".
Edhe tani, një shumicë solide e republikanëve besojnë pretendimin e ish-Presidentit Trump se Presidenti Biden nuk u zgjodh në mënyrë legjitime, pavarësisht inspektimeve, auditimeve dhe rinumërimeve në shtetet e fushëbetejës elektorale, që pothuajse të gjitha konfirmuan fitoren e zotit Biden. Një anketim muajin e kaluar nga Qendra NORC e agjencisë së lajmeve Associated Press për Studimin e Çështjeve Publike tregoi se republikanët mbeten shumë më skeptikë se demokratët se votat e tyre do të numëroheshin me saktësi këtë vit.
Duke kërkuar të rindërtojnë besimin e votuesve në një sistem të sulmuar nga pretendime të pavërtetuara për manipulim të gjerë, ligjvënësit republikanë në mbi 12 shtete që nga viti 2020 kanë miratuar kufizime të reja për votimin. Këto rregulla përfshijnë shkurtimin e afateve për të aplikuar ose për të dorëzuar një fletëvotim me postë, pakësimin e kutive të disponueshme për mbledhjen e votave me postë, si dhe shtimin e kërkesave për dokumente indentifikimi.
Në fundjavën e fundit para ditës së zgjedhjeve, ish-Presidenti Trump vazhdoi të pretendojë se zgjedhjet po manipuloheshin në dëm të tij dhe tha se fituesi duhet të shpallet natën e zgjedhjeve, përpara se të numërohen të gjitha fletëvotimet.
Nënpresidentja Kamala Harris u bëri thirrje votuesve të mos bien pre e taktikës së ish-Presidentit Trump për të hedhur dyshime mbi zgjedhjet. Kandidatja demokrate u tha mbështetësve në një tubim të fundjavës në Miçigan se taktika kishte për qëllim t'u sugjeronte njerëzve "që nëse votojnë, vota e tyre nuk do të ketë rëndësi". Në vend të kësaj, ajo u kërkoi personave që tashmë kishin votuar, të inkurajonin miqtë e tyre të bënin të njëjtën gjë.
Gjatë katër viteve me pretendime të pavërtetuara dhe teori konspirative të lidhura me votimin, zyrtarët lokalë të zgjedhjeve janë përballur me ngacmime dhe madje edhe kërcënime me vdekje. Kjo ka nxitur pjesëmarrje të lartë dhe ka sjellë rritjen e masave të sigurisë për zyrat zgjedhore dhe qendrat e votimit, përfshirë instalimin e butonave të alarmit dhe të xhamave antiplumb.
Ndërkohë që nuk ka patur raportime të mëdha për ndonjë veprim keqdashës kibernetik ndaj zyrave zgjedhore, aktorët e huaj kanë qenë aktivë në përdorimin e profileve të rreme të mediave sociale dhe faqeve të rreme të internetit për të nxitur shakatë partiake dhe dezinformatat. Në javët e fundit, zyrtarët amerikanë të zbulimit i kanë atribuar Rusisë video të shumta false që pretendojnë për manipulim zgjedhor në shtetet amerikane.
Në prag të ditës së zgjedhjeve, ata qarkulluan një deklaratë të përbashkët me agjencitë federale të zbatimit të ligjit duke paralajmëruar se Rusia në veçanti po shtonte operacionet e saj të ndikimit, përfshirë mënyrat që mund të nxisnin dhunën dhe se pritej t’i vazhdonin përpjekjet edhe pasi të ishin hedhur votat.
Jen Easterly, zyrtarja më e lartë e sigurisë zgjedhore e vendit, u bëri thirrje amerikanëve që të mbështeten tek zyrtarët shtetërorë dhe lokalë të zgjedhjeve për informacion rreth zgjedhjeve.
“Kjo është veçanërisht e rëndësishme pasi jemi në një cikël zgjedhor me një sasi të paprecedent dezinformimi, përfshirë dezinformimin që shpërndahet dhe përforcohet në mënyrë agresive nga kundërshtarët tanë të huaj në një shkallë më të madhe se kurrë më parë”, tha ajo. "Ne nuk mund të lejojmë që kundërshtarët tanë nga vende të tjera të kenë një votë në demokracinë tonë"./VOA
Alarm për bombë në disa qendra votimi/ FBI: Janë false, vijnë nga Rusia
Dhjetëra miliona votues amerikanë u janë drejtuar drejt qendrave të votimit këtë të martë për të zgjedhur liderin e ardhshëm të vendit në një proces që zyrtarët thanë se po shkonte pa probleme pavarësisht çështjeve të shkaktuara nga kërcënimet false për bomba dhe moti i keq.
Disa kërcënime me bombë në disa qendra votimi në Miçigan dhe Gjeorgjia shkaktuan vonesa në procesin e votimit pasi forcat e sigurisë kontrolluan vendet. Kërcënimet “duket se kanë origjinën nga domenet ruse të postës elektronike”, – tha FBI duke shtuar se “asnjë nga kërcënimet nuk është konsideruar të jetë i besueshëm deri më tani.”
Si në të gjitha zgjedhjet, çështjet me pranueshmërinë e votuesve, problemet logjistike, funksionalitetin e votave dhe numërimin e votave po shqyrtohen nga afër, veçanërisht për shkak të pretendimeve të ish-presidentit Donald Trump për mashtrim masiv zgjedhor.
Garda Kombëtare zbret në terren, ja sa trupa janë angazhuar për sigurinë e zgjedhjeve në SHBA
Më shumë se 250 trupa të Gardës Kombëtare janë angazhuar për të mbështetur zgjedhjet në 15 shtete të SHBA-së, sipas një zëdhënësi për CNN të martën.
Shtetet ku janë mobilizuar trupat përfshijnë Alabama, Arizona, Delaware, Hawaii, Illinois, Iowa, New Mexico, North Carolina, Oregon, Pennsylvania, Tennessee, Texas, Washington, Wisconsin dhe West Virginia.
Zëdhënësi sqaroi se pothuajse gjysma e trupave po ofrojnë mbështetje në fushën e sigurisë kibernetike, ndërsa pjesa tjetër po ndihmon në bazë të kërkesave lokale.
Ky angazhim vjen si masë shtesë për të siguruar një proces zgjedhor të qetë dhe të sigurt.
Përveç këtyre, Byroja e Gardës Kombëtare tha se rreth 85 trupa janë në gatishmëri në shtetet Colorado, Washington DC, Florida dhe Nevada. Kjo prani shtesë konsiderohet si masë paraprake për shkak të mundësisë së trazirave pas zgjedhjeve presidenciale.
Arrestohet një person i armatosur në Kapitol, i vinte era benzinë
Një person u arrestua këtë të martë në Qendrën e Vizitorëve të Kapitolit të SHBA-ve.
Ai kishte me vete një armë zjarri dhe një pishtar sipas asaj që tha policia. Një zyrtar i zbatimit të ligjit i tha CNN se burri po kalonte një kontroll normal të sigurisë dhe oficerët panë armën dhe pishtarin.
Burri kishte gjithashtu dy kontejnerë me një lëng që mbante erë benzine. Ai u vendos menjëherë në pranga. Zyrtarëve u tha se donte të shkonte në Kongres.
“Oficerët tanë sapo arrestuan një burrë që u ndalua gjatë procesit tonë të kontrollit në Qendrën e Vizitorëve të Kapitolit. Burri mbante erë karburanti, kishte një pishtar dhe një armë zjarri”- tha policia në deklaratë. Qendra e Vizitorëve të Kapitolit do të jetë e mbyllur gjatë gjithë ditës.
Kërcënim në ditën e zgjedhjeve/ “Do të ishte më mirë nëse Trump do të vdiste!” FBI arreston dy persona
Agjentët e FBI-së kanë arrestuar dy persona në Miçigan lidhur me kërcënime të bëra në lidhje me zgjedhjet në SHBA, raporton media amerikane The Detroit News.
Njëri nga të dyshuarit, Isaac Sissel, akuzohet për përfshirje në një komplot për vrasjen e ish-presidentit Donald Trump.
Sissel thuhet se ka postuar në platformën Reddit nën pseudonimin "ShootUpTrumpRally" dhe i ka thënë hetuesve se beson se “gjithçka do të ishte më mirë nëse Trump do të vdiste”. Autoritetet janë duke vijuar hetimet për të kuptuar motivet dhe lidhjet e tij të mundshme me grupe të tjera.
Në rastin e dytë, Christopher Clay Pierce, 46 vjeç, nga qyteti Jackson, akuzohet për kërcënime ndaj një komiteti veprimi politik (PAC) të lidhur me Partinë Demokratike gjatë dy viteve të fundit.
Sipas burimeve, Pierce ishte paralajmëruar më parë nga FBI-ja se mund të përballej me akuza penale nëse do të vazhdonte me postimet kërcënuese ndaj këtij grupi të mbështetur nga demokratët.
Megjithatë, ai kishte vazhduar të publikonte mesazhe të frikshme në internet, duke e çuar situatën deri te ndërhyrja e autoriteteve.
Sekretari i shtetit në Xhorxhia: Kërcënimet e rreme me bombë ishin me origjinë ruse
Sekretari i Shtetit të Xhorxhias, Brad Raffensperger u tha gazetarëve të martën se kërcënimet e rreme që ndërprenë për një kohë të shkurtër votimin në dy qendra votimi e kanë origjinën nga Rusia.
“Dëgjuam disa kërcënime që ishin me origjinë ruse,” tha Raffensperger, duke shtuar se “në interes të sigurisë publike, ne gjithmonë kemi situatën nën monitorim dhe do të vazhdojmë të jemi shumë të përgjegjshëm kur të dëgjojmë për gjëra të tilla. .”
Sekretari nuk shtjelloi se si saktësisht zyrtarët shtetërorë përcaktuan se kërcënimet me bombë vinin nga Rusia.
Blindohet Uashingtoni, frikë nga reagimet e dhunshme pas rezultatit të zgjedhjeve
Ndërsa amerikanët presin rezultatet e zgjedhjeve, Uashingtoni është në gatishmëri të lartë për dhunë të mundshme nga mbështetësit e Donald Trump, nga frika e një përsëritjeje të trazirave të Kapitolit në vitin 2021.
Për të parandaluar ndonjë reagim të dhunshëm nga qytetar të ndryshëm, autoritetet kanë shtuar forcat e sigurisë në kryeqytetin Uashington, Capitol Hill dhe Shtëpia e Bardhë.
Ato janë siguruar me barriera metalike dhe shumë dyqane dhe ndërtesa zyrash janë mbyllur.
Kompleksi i Shtëpisë së Bardhë duket si një kështjellë, shkruajnë mediat amerikane. Masave të rrepta tashmë ekzistuese të sigurisë u është shtuar një gardh metalik i zi me më shumë se dy metra lartësi.
Policia Federale e SHBA-së krijoi një komandë kombëtare zgjedhore në Uashington për të analizuar kërcënimet që lidhen me zgjedhjet gjatë gjithë kohës.
Autoritetet federale dhe lokale kanë frikë nga skenat që të kujtojnë sulmin në Kapitol më 6 janar 2021. Atë ditë, një turmë pro-Trump plaçkiti sallat e Kongresit, pasi ish-presidenti humbi zgjedhjet.
Trump tashmë ka filluar të vërë në dyshim integritetin e votave edhe para se të numërohen fletëvotimet.
Numri i oficerëve të sigurisë përreth qendrave të votimit në SHBA është rritur në pothuajse 100 mijë.
Zgjedhjet në SHBA/ Donald Trump voton në Florida: Po ia dalim shumë mirë
Kandidati për president i SHBA, Donald Trump i shoqëruar dhe nga bashkëshortja, Melani, kanë votuar në Florida.
"Ne duam t'i sjellim të gjithë, ne duam të jemi shumë gjithëpërfshirës.
"Ne kemi një vend të madh, por ne kemi një vend që është në telashe ... ne duhet ta rregullojmë atë.
“Ndihem shumë i sigurt.
"Duket se republikanët janë paraqitur në fuqi, kështu që do të shohim se si do të dalë.
"Kam zhvilluar një fushatë të shkëlqyer. Mendoj se ishte ndoshta më e mira nga të treja. Ne dolëm shkëlqyeshëm në të parën, ne bëmë shumë më mirë në të dytën, por diçka ndodhi. Kjo ishte më e mira, do të thosha se kjo ishte fushata më e mirë.
"Isha i nderuar që mora Joe Rogan mbrëmë. Joe Rogan është një punë shumë e madhe.
"Sigurisht që nuk do të ketë dhunë. Mbështetësit e mi nuk janë njerëz të dhunshëm. Unë nuk duhet t'u them atyre këtë. Dhe sigurisht që nuk dua asnjë dhunë."
Trump tha se do të kishte një grup shumë të veçantë njerëzish të mbledhur në Mar a Lago dhe 4,000 ose 5,000 në qendrën e konventave.
“Unë mendoj se do të kemi një fitore shumë të madhe sot”.
Trump e quan Oprah-n, e cila doli në mbështetje të rivalit të tij Harris, një ndarje të madhe. "Unë mendoj se Oprah është bërë një ndarës i madh në vendin tonë dhe mendoj se, sinqerisht, ajo duhet të ketë turp për veten."
“Nëse humbas zgjedhjet, nëse janë zgjedhje të ndershme, do të jem i pari që do ta pranoj atë”.
Zgjedhjet në SHBA, kur do të shpallet fituesi?
Amerika vendos sot nëse Kamala Harris apo Donald Trump do të jet banori i ri i Shtëpisë së Bardhë, pas një fushate zgjedhore me intesitet të jashtëzakonshëm që mbetet i paqartë deri në minutën e fundit.
Por si do të zgjidhet fituesi?
Presidenti i ardhshëm i SHBA-së përcaktohet nga cili kandidat do të fitojë shumicën në Kolegjin Zgjedhor. Secilit shtet i ndahet një numër votash kolegji elektoral në varësi të popullsisë së tij. Në të gjithë SHBA-në ka gjithsej 538 vota të kolegjit elektoral. Në 48 nga 50 shtetet, kandidatit që fiton më shumë vota individuale i jepen të gjitha votat e kolegjit të tij elektoral. Kandidati fitues duhet të marrë shumicën e atyre - kështu që të paktën 270 nevojiten për të marrë çelësat e Shtëpisë së Bardhë.
Kur do të shpallet rezultati i zgjedhjeve?
Kjo është një pyetje e ndërlikuar dhe përgjigja është 'varet'. Disa shtete mund t'i japin rezultatet mjaft shpejt, por për shumë mund të jetë një proces i gjatë - veçanërisht nëse ka një numër të madh votash të parakohshme dhe me postë, të cilat numërohen natën pas atyre të hedhura personalisht. Në zgjedhjet e fundit presidenciale në SHBA në vitin 2020, vetëm të shtunën pas ditës së votimit mediat amerikane kishin mjaft besim për të shpallur rezultatin.
Një gjë që ne dimë është se kushdo që fiton zgjedhjet e sotme nuk bëhet zyrtarisht president deri në ditën e inaugurimit - kur ata betohen jashtë Kapitolit të SHBA në Uashington DC para kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe ajo ditë është e hënë, 20 janar 2025./Versus.al
Amerikanët nuk zgjedhin drejtpërdrejt presidentin/ Si funksionon Kolegji Zgjedhor dhe përse duhen 270 vota për të fituar?
Amerikanët me votat e tyre në kutitë e votimit gjatë ditës së sotme nuk zgjedhin drejtëpërdrejtë kandidatët presidencialë. 244 milionë qytetarët me të drejtë vote hedhin votat e tyre për anëtarët e Kolegjit Zgjedhor të cilët do të hedhin votat e tyre për kreun e ri të Shtëpisë së Bardhë dhe zëvendësin e tij më 17 dhjetor. Ndryshe ky organ njihet si “Kolegji Zgjedhor”.
Kandidati presidencial që fiton shumicën e votave popullore në natën e zgjedhjeve nuk fiton domosdoshmërisht Shtëpinë e Bardhë. Për të fituar presidencën, një kandidat duhet të fitojë shumicën e votave në Kolegjin Zgjedhor.
Ja se si funksionon Kolegji Zgjedhor:
Kolegji Zgjedhor përbëhet nga 538 zgjedhës që përfaqësojnë të 50 shtetet dhe Distriktin e Kolumbisë.
Çdo shtet ka nga tre deri në 54 vota elektorale. Numri i zgjedhësve nga çdo shtet i caktuar përcaktohet duke shtuar numrin e përgjithshëm të senatorëve amerikanë dhe përfaqësuesve amerikanë. (DC merr tre vota elektorale - numrin që do të kishte nëse do të ishte një shtet dhe numri minimal i zgjedhësve të mundshëm për çdo shtet.)
Një kandidati ka nevojë për shumicën e votave elektorale – 270 – për të fituar.
Në 48 shtete dhe në Distriktin e Kolumbisë, të gjitha votat elektorale i jepen kandidatit që fiton një shumicë të votave popullore në atë shtet. Ky është i njohur si sistemi "fituesi i merr të gjitha". Dy shtete – Maine dhe Nebraska – nuk i japin votat e tyre elektorale sipas një sistemi fituesi merr të gjitha.
Pas zgjedhjeve të përgjithshme, zgjedhësit takohen në shtetet e tyre përkatëse të martën e parë pas të mërkurës së dytë të dhjetorit për të hedhur vota të veçanta për presidentin dhe zëvendëspresidentin. Këtë vit, zgjedhësit do të takohen më 17 dhjetor. Takimi zakonisht mbahet në kryeqytetin e shtetit ose në ndërtesën e shtëpisë së shtetit.
Rezultatet e Kolegjit Zgjedhor numërohen dhe vërtetohen nga një seancë e përbashkët e Kongresit më 6 janar. Versus.al
Frika e NATO-s nga rikthimi i Trump, përgatitja për skenarin 'esktrem'

Katër vjet më parë, shumë diplomatë dhe zyrtarë ushtarakë ndjeheshin të lehtësuar pas rezultateve. Vitet e Trumpit më në fund mbaruan, që ishte një ndjenjë lehtësimi e përhapur në selinë e NATO-s. Katër vjet me radhë kreu i vendit më të rëndësishëm të NATO-s ishte i paparashikueshëm me lëvizjet e tija arbitrare.
Donald Trump la pas vete një sërë përçarjesh - nga braktisja e aleatëve në Siri dhe Irak, kaosi në Afganistan që ndihmoi talebanët, deri tek poshtërimi i shpeshtë i evropianëve prej tij. Trump kurrë nuk i konsideronte evropianët aleatë, por, sipas fjalëve të Jean-Claude Juncker, i pa ata si "figura të errëta që nuk i uronin të mirën Amerikës, një nga politikanë të paktë që arriti të bashkëpunonte me Trumpin".
Kritikat e hapura
Në hapjen e selisë së re të NATO-s në Bruksel në vitin 2017, Trump mbajti një fjalim para aleatëve ku tha: "Gjatë tetë viteve të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar më shumë për mbrojtjen se të gjithë anëtarët e tjerë të NATO-s së bashku,". Ai vuri në dukje se 23 nga 28 vendet anëtare të NATO-s nuk paguajnë mjaftueshëm për mbrojtjen.
Kjo goditi veçanërisht ish-kancelaren gjermane Angela Merkel, vendi i së cilës nuk paguante sa kërkohej. Presidenti amerikanTrump vazhdoi me kritika, duke thënë se këtë kërkesë ia paraqiti edhe Sekretarit të Përgjithshëm Jens Stoltenberg, ndërsa Merkel shprehte pakënaqësinë.
Trump lavdëroi Rutte
Mark Rutte, Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s, tha pas marrjes së detyrës se "falë Trumpit" NATO rriti shpenzimet e mbrojtjes, gjë që i befasoi të pranishmit. Ai po ashtu tha se qëndrimin kritik të Trump ndaj Kinës, e kanë pranuar tani shumë vende të tjera.
Është e mundur që kjo deklaratë t'i drejtohet drejtpërdrejt Trumpit, duke qenë se ai është në garë të ngushtë me Kamala Harris. Ndërsa NATO këtë herë dëshiron të përgatitet për një mandat të ri të mundshëm të Trumpit. Termi "rezistencë ndaj Trump" dhe marrëveshja e tij e mundshme me Putinin ushqen gjithashtu këtë frikë.
Përgatitja për një skenar ekstrem
Marco Overhaus, një ekspert amerikan në Fondacionin për Shkencë dhe Politikë (SWP), shpjegon se "ideja që NATO mund të bëhet 'e mbrojtur nga Trumpi' është një iluzion. NATO-ja vështirë se mund të përgatitet për një skenar ekstrem siç është dalja e SHBA-së nga NATO". Ai vë në dukje se raporti i angazhimeve është 75% me SHBA-në dhe 25% me Evropën.
Shpresa tek Harris
Për NATO-n, një fitore e Kamala Harrisit do të ishte një mundësi për të reduktuar varësinë nga SHBA-ja, veçanërisht në aftësitë kryesore ushtarako-teknike, si mbrojtja ajrore, sistemet e paralajmërimit të hershëm dhe strukturat e komandës për operacione të mëdha ushtarake.
Sipas Overhaus, Evropa duhet të mendojë edhe për përgjigjen politike ndaj "politikës së karriges bosh" të Trumpit në NATO. Në një skenar të tillë, Evropa duhet të reflektojë mbi traditat e vendimmarrjes së përbashkët dhe të përgatitet për mundësinë që Amerika të përdorë ndikimin e saj kundër vullnetit të evropianëve ose, çfarë është gjithashtu realiste, të fillohet të manipulojë aleatët e NATO-s kundër njëri-tjetrit. DW
Fjalimi i fundit i Trump para votimeve: Garoj përballë një sistemi të ligë demokrat, jo ndaj Harris
Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump argumentoi gjatë tubimit të fundit të fushatës së tij se kundërshtari i tij i vërtetë në këto zgjedhje nuk ishte nënpresidentja Kamala Harris, por përkundrazi "një sistem i lig demokrat".
“Ne do ta mposhtim sistemin e korruptuar në Uashington. Sepse nuk po kandidoj kundër Kamalës, po kandidoj kundër një sistemi të mbrapshtë demokrat. Këta janë njerëz të këqij”, tha Trump gjatë tubimit të tij në Grand Rapids, Michigan, që filloi shumë pas mesnate.
“Shumica e heshtur është kthyer dhe nesër duhet të dilni dhe të votoni”, tha Trump.
“Ky ka qenë një udhëtim i jashtëzakonshëm. Dhe është shumë e trishtueshme në një farë mënyre, sepse, ju e dini, ne i kemi bërë të gjitha këto, dhe ky është i fundit, por ja ku është lajmi i mirë, gjithçka që po bënim ishte të vendosnim veten në një pozicion për të fituar, gjë që mund ta bëjmë. nesër shumë lehtë nëse paraqitemi”, shtoi Trump në mbyllje të takimit të fundit elektoral. Versus.al
Trump apo Harris? Qyteti në New Hampshire shpall rezultatin e zgjedhjeve
SHBA- Ndërsa Donald Trump përfundoi fjalimin e tij të fundit në tubim, u publikuan rezultatet e qytetit të Dixville Notch në shtetin e New Hampshire.
Ky komunitet ka një traditë të votimit në mesnatë dhe rezultati i zgjedhjeve ka dalë një barazim tre për Harris dhe tre për Trump.
Neë Hampshire është vënë shpesh në qendër të vëmendjes nga media si një terren testimi për të përcaktuar të dyja palët kryesuese dhe deri më tani shihet se ka një barazim dhe rezultat të ngushtë mes kandidatëve. Versus.al








