Çfarë do të gjeni në brendësi
*Partitë politike nisin sot zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. *Sondazhi i institutit italian “Piepoli” i bërë në bashkëpunim me Report Tv mbi rezultatin e mundshëm të zgjedhjeve të 11 majit, tregon se PS është forca politike më e votuar nga të anketuarit dhe se Rama mund të marrë mandatin e katërt si kryeministër. *Partia Demokratike ka zgjedhur që të nisë nga sheshi “Nënë Tereza” fushatën elektorale për zgjedhjet e 11 majit. *Drejtuesi i fushatës së PD, Christopher Lacivita pritet tw dal nw podium dhe të mbajë fjalim në çeljen e fushatës *Një ditë para çeljes zyrtare të fushatës së Partisë Socialiste në Sheshin "Skënderbej", është zbuluar dhe slogani që do të shoqërojë këtë rrugëtim një mujor drejt zgjedhjeve.
FOTO/ Vetëm me EDIN dhe PS! Zbulohet slogani i socialistëve për zgjedhjet e 11 Majit

Shqipëria sot fillon zyrtarisht muajin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.
Demokratët do të inaugurojnë këtë periudhë të rëndësishme politike me një organizim të veçantë në sheshin "Nënë Tereza" sot pasdite, ndërsa socialistët do të hapin fushatën e tyre nesër, duke e shndërruar këtë periudhë në një garë dinamike dhe të ngjeshur.
Një ditë para çeljes zyrtare të fushatës së Partisë Socialiste në Sheshin "Skënderbej", është zbuluar dhe slogani që do të shoqërojë këtë rrugëtim një mujor drejt zgjedhjeve.
Në këtë foto të sloganit të PS, dallohet pasaporta me shqiponjën, ndërsa në krye të saj shkruhet “Republika e Shqipërisë” dhe “Bashkimi Europian”, lidhur edhe me premtimin e PS se vetëm Rama mund t’u japë shqiptarëve në duart pasaportën europiane.
Në sfond dallohen ngjyrat blu të flamurit të BE-së dhe e kuqja e flamurit të Shqipërisë, ndërsa lexohet edhe slogani : "Shqipëria 2030 në BE, vetëm me Edin dhe PS”, e shoqëruar edhe me logon e PS./Versus.al
“Kush është miu?”, Lacivita shpërndan videon me bufin dhe ironizon Ramën
Drejtuesi amerikan i fushatës së PD, Christopher Lacivita, duket se ka nisur të veprojë sot në nisjen zyrtare të garës elektorale për 11 majin.
Në një video të publikuar në rrjetin social “X”, Lacivita ironizon Ramën për sulmet e tij të vazhdueshme ndaj Berishës duke e identifikuar me “Bufin e kënetës”.
Në videon e publikuar nga Lacivita shfaqet një buf që ha një mi dhe amerikani shkruan me ironi “Kush është bufi dhe kush është miu?”.
Që në zyrtarizimin e tij në krye të fushatës së PD, ish-strategu i fushatës së Donald Trump, sulmoi Ramën duke e cilësuar "kukull të George Soros". Versus.al
Who’s the “Owl” and who’s the mouse ….#Albania pic.twitter.com/A98EzZQ0VB
— Chris LaCivita (@ChrisLaCivita) April 10, 2025
"Lacivita do të mbajë fjalim në podium", detaje nga mitingu i çeljes së fushatës elektorale të PD
Partia Demokratike ka zgjedhur që të nisë nga sheshi “Nënë Tereza” fushatën elektorale për zgjedhjet e 11 majit. Me një miting ku janë thirrur të marrin pjesë qytetarë të ndryshëm, kryedemokrati Sali Berisha dhe figura të PD do të mbajnë fjalimet e tyre.
Por gjithashtu në podiumin e ngritur do të ngjiten edhe qytetarët të cilët do të flasin për pikëpamjet e tyre dhe jetesën në Shqipëri, e cila sipas PD është bërë e papërballueshme duke shkaktuar dëshirë për emigrim masiv tek qytetarët.
Ndërsa program elektoral i publikuar më parë nga Berisha do t’u prezantohet qytetarëve më 12 prill në takimet që do të ketë në qarqe të ndryshme. Dje kryedemokrati u pyet lidhur me aktivitetin, por preferoi të mos zbulonte shumë gjëra duke i konsideruar “surprizë”, mes tyre edhe daljen e drejtuesit të fushatës së PD, Christopher Lacivita krah tij.
“Rama është i tmerruar nga vota e lirë. Unë s’jap përqindje dhe numra se nuk jam profet. PD ka një mbështetje madhore kombëtare të qytetarëve shqiptarë për fitoren më 11 maj. Ju shikoni entuziazmin që ekziston sot në Shqipëri. Ndërkombëtarët mbështesin votën e lirë të shqiptarëve”, tha Berisha gjatë konferencës së djeshme për gazetarët.
Lacivitia pritet të dalë në podium ndërkohë që zërat për largimin e tij nga drejtimi i fushatës së PD ishin shtuar së fundmi. Pritet që ish-‘truri’ i fushatës së Donald Trump të mbajë fjalim në çeljen e fushatës së PD. Versus.al
Sondazhi i Piepolit për 11 majin, Rama drejt mandatit të katërt, PD forcë e dytë! Rritje për partitë e reja

Sondazhi i institutit italian “Piepoli” i bërë në bashkëpunim me Report Tv mbi rezultatin e mundshëm të zgjedhjeve të 11 majit, tregon se PS është forca politike më e votuar nga të anketuarit dhe se Rama mund të marrë mandatin e katërt si kryeministër.
Me të dhënat e sondazhit, PS ka shanse të mbetet në pushtet pasi 50.5% e të anketuarve shprehen se do ta votojnë. Ndërsa forca e dytë është koalicioni i PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore që sipas sondazhit mund të marrë 37% të votave.
Forca e tretë renditet koalicioni Nismë Shqipëria Bëhet me drejtues Adriatik Lapajn. Kjo parti politike do të votohet nga 8.5% e anketuesve të marrë në pyetje, një rënie e lehtë krahasuar me një sondazh të mëparshëm në muajin mars.
Partia “Mundësia” e Agron Shehajt ka shënuar rritje nga 4.5% në 6% të të anketuarve të cilët janë përgjigjur se do e votojnë më 11 maj. Rritje ka pësuar edhe PSD e Tom Doshit deri në 3%. Ndërsa videot humoristike dhe “disset” me Ramën duket se e kanë dhënë efektin për Lulzim Bashën për të cilin, mbështetja ka kaluar në 1% nga 0.5% që ishte në mars.
Gjithsesi, kur pyeten për veprimtarinë e qeverisë së Edi Ramës, pjesa më e madhe e të anketuarve shprehen të zhgënjyer dhe të pakënaqur. Versus.al
Partitë ndezin sot ‘motorët’ e fushatës elektorale për 11 majin! PS simbolikë yjet e BE, PD e nis në Tiranë! Partitë e reja me risi
Partitë politike nisin sot zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Pavarësisht se takimet elektorale kanë nisur prej javësh tashmë, e premtja do të shënojë kalendarin zyrtar të nisjes së tureve politike në të gjithë zonat e vendit me mitingje ku forcat politike shpalosin programin e tyre para qytetarëve me të drejtë vote.
Gara këtë herë, pritet të jetë më e ashpër mes kandidatëve që janë të renditur në listat e hapura të qarqeve, pasi nuk ka më rëndësi thyerja e herësit, por atyre në listë të mbyllur, do të hyjnë në Kuvend vetëm deputetët me më së shumti vota. Çdo forcë apo koalicion, sipas formulës së re elektorale, ka 186 kandidatë për deputetë, ku 46 janë nga lista e mbyllur dhe 140 nga lista e hapur.
Socialistët me në krye Edi Ramën si kryeministër, kërkojnë mandatin e katërt qeverisës pas rreth 12 vitesh në pushtet me sloganin “Shqipëria në BE”. PS zgjodhi që dita e nisjes së fushatës së tyre të mos ishte ajo e sotmja, por e shtuna më 12 prill duke e simbolizuar datën 12 me numrat e yjeve në flamurin e BE.
Retorika e përdorur nga socialistët pas shumë taktikave të përdorura në zgjedhjet e mëparshme, tashmë është ajo e anëtarësimit në BE. Kryeministri Rama dhe zyrtarët më të lartë të partisë në daljet e tyre janë kujdesur të kërkojnë votën me pretendimin se do të anëtarësojnë Shqipërinë në BE, pavarësisht problematikave që kanë qytetarët. Sot socialistët do të kenë takime me gratë në të gjithë vendin për të simbolizuar rëndësinë e tyre në parti. Ndërsa nesër në orën 12:00 në sheshin “Skënderbej”, PS nis zyrtarisht garën elektorale.
Demokratët nga ana tjetër, kërkojnë rikthimin në pushtet pas 12 viteve të kaluara në opozitë. Kryetari Sali Berisha ka prezantuar në daljet e tij për mediat programin i cili sipas tij do t’i japë frymë ekonomisë dhe do të zhvillojë prodhimin e brendshëm të vendit duke rritur eksportet me vendet e tjera. PD e nis fushatën sot në orën 19:00 në sheshin “Nënë Tereza” ku Berisha ka ftuar demokratët të jenë të pranishëm. PD është në koalicion me 25 parti të tjera opozitare të cilin e kanë quajtur “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.
Partitë e reja
Një risi në çeljen e fushatës elektorale e sjell partia “Mundësia” e Agron Shehajt që do të zhvillojë një tur me autobus të personalizuar nga Shkodra në Gjirokastër. Nisja do të bëhet nga Shkodra në orën 08:00 të mëngjesit duke kaluar më pas në Lezhë, Durrës, Kavajë, Lushnjë, Fier, Vlorë, Selenicë e për ta mbyllur më pas në Sarandë në orën 20:00.
Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit do të hapë zyrtarisht fushatën elektorale më 13 prill në Fier, 10:30, te Teatri Bylis.
‘Nisma Shqipëria Bëhet’ me drejtues Adriatik Lapajn, do të hapë fushatë në Vlorë më 12 prill, ora 18:00, në sheshin “Flamurtari”. Versus.al







