
Kryeministri Edi Rama gjatë fjalimit që mbajti në konferencën me temë “Rugova dhe Perëndimi” në kuadër të 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës, ironizoi edhe kryeministrin Albin Kurtin.
Teksa fliste për karakteristikat e Rugovës, Rama tha se edhe sot mbetet i vetmi në shtetin e Kosovës që ishte i bindur se për paqja afatgjatë arrihet nga bashkëpunimi me popullsinë tjetër të vendit, serbët duke nënkuptuar edhe një adresim për Kurtin.
“Është shumë për të qarë hallin sikur sot pas shumë vitesh rugova mbetet i vetmi në këtë shtet që e dinte se të kesh paqe të plotë nuk do thotë thjesht të arrish një mungesë konflikti por të vendosësh drejtësi afatgjatë brenda dhe përtej kufijve. Rugova kishte kuptuar dhe një të vërtetë që shumëkush e gëlltit me vështirësi. Se për të realizuar një drejtësi afatgjatë, asnjë popull nuk është i mjaftueshëm. Nuk vlen bindja e atyre që na ndjekin me fanatizëm por edhe e kundërshtarëve. Ëndrra për t’I patur të gjitha për njëherë, jo rrallë shndërrohet në makthin e humbjes për breza të tërë”- tha Rama.
Ndër të tjera, ai tha se vendet e Ballkanit duhet të çojnë përpara nivelin e dialogut mes tyre në kuadër të paqes afatgjatë.
“Sot shtetet e ballkanit kanë shansin të çojnë përpara një nivel dialogu në kuadër të paqes. Kosova është një gur i rëndë në vend të vetë që askush nuk mund ta luajë nga vendi por duhet të zërë vend duke formësuar subjektivitetin e vetë ndërkombëtar. Ose pastaj hyjmë në rrugën që çon mbrapa dhe që dihet çfarë pasojash ka në këtë zonë të Evropës”- shtoi ai.
Ndërkohë, sot në 25 vjetorin e çlirimit, Rama u prit vetëm nga presidentja Vjosa Osmani ndërsa nuk pati asnjë takim me kryeministrin Albin Kurti. Versus.al








