Një çështje gjyqësore mes Kryeministrit Edi Rama dhe ish-zyrtares së administratës fiskale Brisida Shehaj ka marrë një zhvillim të ri në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë.
Rama, i cili një vit pas ardhjes në pushtet i kishte dorëzuar Shehajt çmimin “Bleta e Artë” gjatë kohës kur ajo drejtonte administratën tatimore, më pas ka depozituar një padi për shpifje ndaj saj. Shkak u bënë deklaratat e Shehajt në vitin 2022, ku ajo pretendonte se kryeministri po përdorte bordin e transparencës së karburanteve për përfitime financiare.
Në padinë e depozituar, pala e Ramës kërkonte dëmshpërblim prej 1 milion lekësh, duke i cilësuar deklaratat si të pavërteta dhe shpifëse, të bëra në një video në rrjetet sociale.
Sipas vendimit të gjykatës, i cili është dhënë së fundmi, deklarimet e Shehajt janë konsideruar shpifje, ndërsa ajo detyrohet të publikojë një përgënjeshtrim në rrjetet sociale. Megjithatë, gjykata nuk ka vendosur detyrim për dëmshpërblim financiar.
Shehaj është shprehur për TopChannel se do ta ankimojë, duke theksuar se vendimi nuk është ende i formës së prerë.

