POLITIKË /

Zgjedhjet për bashkinë e Tiranës, Berisha konfirmon mbështetjen për kandidatin e pavarur, Florjan Binaj

Shkruar nga Versus
Zgjedhjet për bashkinë e Tiranës, Berisha konfirmon
Sali Berisha, Florjan Binaj

Partia Demokratike, do t’u paraqesë aleatëve emrin e aktorit të njohur Florjan Binaj për ta mbështetur si kandidat të pavarur për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 9 nëntor për bashkinë e Tiranës.

Duke falenderuar kandidatët e tjerë të pavarur, Berisha shprehur mbështetjen për Binajn të cilin e vlerësoi si artist dhe luftëtar të kauzave të shqiptarëve.

“Jam sot këtu për t’u informuar ju dhe qytetarët e Tiranës, dhe mbarë Shqipërisë, se midis kandidaturave shumë të mira që kanë ardhur direkt nga drejtues dhe personalitete të PD, tashmë të bëra publike, për të cilat unë kam vlerësimin më të madh, kandidaturave realisht të personaliteteve të pavarura nga fusha të ndryshme, nga Shqipëria dhe nga diaspora, PD duke falënderuar me mirënjohje secilin prej atyre që vendosi të paraqesë kandidaturën e tij në shërbim të qytetarëve të Tiranës dhe përballjen me të keqen e këtij vendi, që është Edi Rama, informon se grupi i mandatuar nga PD do u paraqesë aleatëve tanë mendimin dhe sugjerimin që të mbështesim së bashku artistin e mirënjohur, personalitetin e shquar të artit, luftëtarin e paepur të kauzave të qytetarëve shqiptarë, komunikatorin e talentuar, e lindur, zotin Florjan Binaj”- u shpreh Berisha.

Teksa nënvizoi edhe pozicionin që Binaj mban aktualisht si moderator i një emisioni investigative, Berisha tha se aktori i njohur ka qenë në linjën e parë të luftës ndaj korrupsionit.

“Shpresoj që aleatët, opozitarët, të bashkohemi në këtë mbështetje ndaj një personaliteti me reputacion të gjerë, tek i cili gjejnë veten më shumë se kushdo tjetër të përfaqësuar, qytetarët e Tiranës. Ai ishte për vite e vite me radhë, yll apo superyll i shfaqjes më të shikuar të vendit dhe në çdo rol, interpretimi i tij ishte më i pëlqyeri, ishte i përsosur. Florian Binaj është nga ata artistë që konsideron kauzat qytetare si kauzat e tij. Dhe të gjithë ju jeni dëshmitarë të betejave që ai ka bërë së bashku me të tjerë në mbrojtje të këtyre kauzave. Ai, së bashku me bashkëpunëtorë, me ekip, kanë ndërtuar dhe paraqesin një nga emisionet investigative më të shikuara, Piranjat, të cilat Edi Rama, i tmerruar, i përzuri nga televizioni ABC dhe u zhvendosën tek televizioni SYRI.

Pra, mund të themi se në këtë kontekst, Florian Binaj, së bashku me ekipin drejtues të Piranjave dhe stafin, janë në linjën e parë të luftës kundër korrupsionit. Kundër kësaj dukurie shkatërrimtare për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ndaj dhe njëherë ftoj aleatët dhe të gjithë opozitarët, ftoj qytetarët të mbështesin këtë kandidaturë si një kandidaturë që i bën nder çdo qytetari dhe kryeqytetit të vendit”- shtoi më tej kryedemokrati.

Për kandidaturën e pavarur të Florian Binajt, më herët ka shprehur mbështetjen edhe partia Lëvizja Shqipëria Bëhet e Adriatik Lapajt. Versus.al

Poll