Kryeministri Edi Rama ka komentuar rastin e parë të arrestimit të një personi në Lushnjë që tentoi të blinte vota për PD-në.
Duke iu përgjigjur një qytetari në rrjete sociale i cili e pyeste për para në këmbim të votës, Rama pretendoi se PS nuk ka blerë asnjëherë vota dhe bëri thirrje që veprime të tilla të mos bëhen pasi janë krime që ndëshkohen.
“Jo vlla, nuk kemi lekë për vota, s’e kemi bërë më parë, nuk do e bëjmë sot. Pashë që kishin dalë disa që jepnin lekë nga këto paratë e kënetës. Se këneta ka shumë para, e keni para sesa e ka paguar Latifin? Kishin kapur një zhapik andej nga Lushnja e Divjaka që jepte para për vota. Askush mos ta bëjë këtë gabim se është krim që ndëshkohet dhe nuk ia vlen fare”- tha Rama.
Më tej duke iu përgjigjur një tjetër komentuesi i cili e pyeste për zyrtarët e hetuar dhe të arrestuar, Rama tha se asnjë anëtar i qeverisë së tij nuk është në burg. Ndërsa argumentoi se edhe ata të cilët janë dërguar për gjykim, nuk kanë qenë anëtarë qeverie.
“Kjo e gjysmës së qeverisë në burg, është shumë qesharake. Unë nuk kam faktikisht në burg asnjë anëtar të qeverisë për shumë e shumë kohë dhe në fakt po të shikosh të gjithë ata që janë marrë në hetim apo janë çuar për gjykim nuk kanë qenë anëtarë qeverie. Kur kanë ndodhur, kanë qenë shumë përpara. Unë kam 12 vite këtu dhe nëse ju e flisni për drejtësi për ministra, për kryebashkiakë e persona të lidhur me pushtetin e ish-presidentë e ish-kryeministra, kjo nuk erdhi nga qielli. Kjo është ditë që e solli PS me mua në krye. Kjo është shprehja e vullnetit absolut për të sjellë atë që shqiptarët nuk kanë pasur kurrë, barazinë para ligjit”- shtoi kryeministri. Versus.al








