
Në çeljen e podkastit të tij, Kryeministri Edi Rama ka folur për zgjedhjet e parakohshme që do të zhvillohen më 9 nëntor në Bashkinë e Tiranës dhe në disa bashki të tjera.
Ai e ka konsideruar shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj si një domosdoshmëri për qytetin, por ka theksuar se arrestimi dhe paraburgimi i tij erdhi si pasojë e një procesi që sipas tij, ka standarte të dyshimta.
“Më 9 nëntor qytetarët e Tiranës dhe disa bashki të tjera do të votojnë për kryebashkiak. Të tjerat janë zgjedhje krejt normale, ndërsa në Tiranë ato janë të jashtëzakonshme, jo për shkak se është kryeqyteti, por sepse Tirana mbeti pa kryebashkiak për shkak të një zhvillimi brutal të drejtësisë. Veliaj u mor nga zyra pa gjyq dhe u dërgua në paraburgim, ku po mbahet ende prej muajsh në një proces me standarde që janë të dyshimta,” – tha Rama.
Kryeministri e ka vlerësuar domosdoshmërinë e zgjedhjeve të parakohshme për të garantuar qeverisjen e qytetit, duke shtuar se qytetarët do të vendosin për kryetarin e ri të Bashkisë së Tiranës.







