
Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e Nikolin Topallit për të dalë nga regjimi i posaçëm 41 Biss.
Topalli rezulton të jetë i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen në 2001 për motive pronësie të Çesk Ndrekës dhe ka plagosur vëllanë e viktimës. Topalli akuzohet për veprën penale “Vrasje me dashje në rrethana cilësuese; Armëmbajtje pa leje”. Ai u transferua në regjimin e posaçëm në datën 9 maj të këtij viti, me urdhër të ministrit Ulsi Manja.

Mirëpo, Nikolin Topalli ka paraqitur pranë Gjykatës, kërkesën me objekt: Anullimin e urdhërit të Ministrit të Drejtësisë, datë 09.05.2024.
Kërkesa u mor në shqyrtim dhe pas përfundimit të gjykimit, nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u vendos rrëzimi i kërkesës së të dënuarit.
Përpos kësaj, Gjykata bën me dije se kundër këtij vendimi mund të bëhet ankesë vetëm në Gjykatën e Posaçme të Apelit, brenda një afati kohor prej 15 ditësh./ Versus.al

