Më 2 tetor është caktuar seanca në Gjykatën e Lartë kur do të shqyrtohet kërkesa e kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj për prishjen e vendimeve të GJKKO dhe Apelit për lënien në burg të tij.
Data për zhvillimin e seancës është caktuar në një periudhë kur këshilltarët bashkiakë të PS në bashkinë e Tiranës kanë nisur proceduat për shkarkimin e tij dhe pritet që të martën ta votojnë në këshillin bashkiak. Avokatët e kryebashkiakut kanë paralajmëruar se vendimin do ta çojnë në Gjykatë Kushtetuese me argumentin se ndaj Veliajt nuk ka ende një dënim të formës së prerë.
Ndaj kryetarit të bashkisë Tiranë rëndojnë akuza për 5 vepra penale siç janë: korrupsion pasvi kryer në 9 raste, pastrim parash, fshehje pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve të paligjshme në qeli. Ndërsa bashkëshortja e tij Ajola Xoxa akuzohet për pastrim parash, fshehje pasurie dhe korrupsion pasiv.
Të pandehur në dosjen hetimore ndaj Veliajt janë edhe ish-deputetja e PS Klotilda Bushka, disa bashkëpunëtore të Ajola Xoxës si dhe 4 biznesmenë që kanë përfituar tendera nga bashkia e Tiranës duke kryer më pas pagesa fitive për shoqatat e drejtuara nga Xoxa. Versus.al







